
Bajrami i reagon Rizvanollit: KEK-u sot 64 euro për megavat, nesër 99, pas dy muajsh 260 euro
Kryetarja e grupit parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj njoftimit të ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, lidhur me çmimin e energjisë elektrike të ofruar nga KEK për ndërmarrjet pa kontrata në tregun e lirë.
Rizvanolli njoftoi se nga data 1 qershor, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka filluar të furnizojë përkohësisht me energji elektrike ndërmarrjet që operojnë në tregun e lirë, por që ende nuk kanë lidhur kontrata me ndonjë furnizues tjetër. Sipas saj, për ditën e sotme çmimi mesatar i energjisë ka qenë 64.55 euro për megavat orë, i siguruar përmes Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX).
Por sipas Bajramit, ky çmim do të rritet ndjeshëm: “Sot 64, nesër 99 euro për MWh, e pas dy muajsh deri në 260 euro”, ka shkruar ajo në Facebook, duke paralajmëruar se KEK është vetëm furnizues i përkohshëm për 60 ditë.
Postimi i plotë:
Sot 64 euro, nesër 99 euro , sa do të jetë pasnesër energjia që në treg të rregullum kushton vetëm 29.6 Euro?
Kur kanë shku Artanja e disa të tjerë në LVV, disa kanë mendu që kanë me ndryshu Albinin, por që vjen dita e krejt bëhen si Albini pak kush e ka pritë.
Kqyrne postimin e saj para disa minutave dhe manipuilin për të cilin Artanja është trajnu që katër vjet në LVV.
Paska thanë KEK-u sot po e blen rrymën 64.55 Euro një MWh përmes bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike ALPEX, por nuk po e shpjegon se këtij çmimi dersia të arrij te 1300 ndërmarrjet e përjashtuara i shtohet
– plus kosto e transmisionit apo fitim i KOSTT-it,
– plus kosto apo fitimi i distribucionit KEDS,
– plus kosto e KECOS (se faturimin dhe inkasimin e bën KESCO se s’ka qysh e bën KEK-u),
– plus fitimi për KEK-un se tash drejtorit të ri duhet me ja garantu përformancën.
Pra, çmimi 64.55 euro për MWh nuk është çmimi final i energjisë, por është vetëm ajo që deri dje ka kushtuar 29.6 euro.
Po Rizvanolli duhet me u përgjigjë: Pse KEK-u po blen sot energji në ALPEX me çmim 64.55 euro kur çmimi në HUPX qenka 53.69 euro edhe pse s’po ju tregon ndërmarrjeve a ka KEK-u kontratë afatgjatë për blerje të energjisë apo gjysma e ekonomisë së Kosovës është në mëshirën e tregtarëve e kumbarëve të energjisë. Psh. nesër çmimi mesatar në ALPEX do të jetë 99.87Euro MWh.
Sa do të jetë pasnesër?
Mos harroni se KEK 60 ditë është furnizues i mundësisë së fundit, pas 60 ditë mandej kalohet te çmimi deri 260 euro MWh.