Bajrami: Jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në
Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka konfirmuar se do të jetë pjesë e listës së kësaj partie për zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar se për të LDK-ja mbetet mbi çdo individ dhe interes personal.
Në një postim në ‘Facebook’, Bajrami ka bërë të ditur se në listën zgjedhore mban numrin 12, duke thënë se renditja nuk paraqet problem për të, pasi beteja e saj politike nuk është për pozita personale, por për mbrojtjen e demokracisë, shtetit dhe interesit qytetar.
“Nga zyra e LDK-së me është kumtuar se në listë unë jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në, por kjo për mua personalisht s’paraqet asnjë problem, sepse beteja ime nuk është për renditje as për fitore personale”, ka shkruar Bajrami.
Postimi i plotë i saj:
Të nderuar qytetarë, votues dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Jam pjesë e listës së LDK-së, sepse LDK-ja është më e madhe se çdo individ, më e madhe se çdo rrethanë dhe më e madhe se ata që vijnë e shkojnë.
Prej se jam në politikë, e zgjedhur deputete shtatë herë, kam qenë, jam dhe do të jem në LDK. Kam qenë këtu në ditë të mira e në ditë të vështira. Nuk e kam braktisur LDK-në për interesa personale dhe nuk e kam parë asnjëherë si stacion të përkohshëm politik.
Nga zyra e LDK-së me është kumtuar se në listë unë jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në, por kjo për mua personalisht s’paraqet asnjë problem, sepse beteja ime nuk është për renditje as për fitore personale.
Beteja ime është për një Kosovë që nuk i nënshtrohet arrogancës së pushtetit; për politikën që i shërben qytetarit e jo interesave personale; për demokracinë që nuk tkurret; për qytetarin që kërkon llogari nga qeveria; për biznesin që nuk pengohet nga politika dhe për institucione që nuk kapen nga partitë.
Kauza ime është Kosova shtet i fortë dhe këtë kauzë mund ta çojë përpara vetëm LDK-ja, me njerëzit e saj, LDK-ja që i mbron parimet e veta dhe nuk harron pse ekziston.
Të nderuar qytetarë, votues dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Lista e LDK-së ka 110 kandidatë. Në mesin e tyre, secili prej jush mund t’i gjejë me lehtësi 10 personalitete, të denjë për t’ju përfaqësuar. Andaj, analizojeni listën dhe më 7 qershor votoni me bindje – votoni LDK!



