
Bajrami: Kurti me politikat e tij po i shtyn punëdhënësit drejt protestës
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në sektorin e energjisë, duke e akuzuar kryeministrin Albin Kurti se me politikat e tij po i shtyn punëdhënësit drejt protestës.
“Albin Kurti me politikat e tij po i detyron sot të dalin në rrugë punëdhënësit e 143 mijë punëtorëve”, ka shkruar Bajrami në një status të publikuar në Facebook”, duke theksuar ndikimin që sipas saj do të ketë vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që nga 1 qershori.
Sipas Bajramit, çmimi i energjisë pritet të rritet deri në 260% për punëdhënësit e mëdhenj, çka ajo e konsideron goditje të drejtpërdrejtë për sektorin privat. Ajo paralajmëron për pasoja të rënda ekonomike dhe sociale: “Kosova po shkon drejt rrënimit ekonomik, e qytetarët e saj drejt varfërisë.”
Duke përmendur disa nga sfidat me të cilat po përballet vendi, Bajrami ka renditur një varg shqetësimesh ekonomike, përfshirë “dy vite nën sanksione nga BE-ja”, “deficit tregtar rekord që nga paslufta” si dhe “100 mijë vende pune më pak, sipas të dhënave të vetë qeverisë”.
Po ashtu, ajo ka përmendur ekzistencën e “2,123 kontratave njëburimore” si dëshmi e keqmenaxhimit të sektorit publik.
Deputetja e LDK-së ka kërkuar anulimin e menjëhershëm të vendimit të ZRRE-së dhe nisjen e një hetimi të gjerë institucional.
“Duhet të merren masat e nevojshme, ZRrE, KOSTT, KEK, Ministria e Ekonomisë dhe të gjitha kompanitë private aktive në sektor duhet të auditohen dhe hetohen”, ka shkruar ajo.
Në përfundim, Bajrami apelon për angazhim të menjëhershëm në rritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë dhe për ndaljen e asaj që e quan “mafie energjetike që po rrënon vendin”.
Reagimi i saj vjen në një kohë kur shumë biznese po shprehin shqetësime në lidhje me kostot gjithnjë në rritje të energjisë dhe pasiguritë në tregun energjetik të Kosovës.