
Bajrami: Kurti po krahason protestën e bizneseve me barrikadat e Listës Serbe
29 maj 2025
| 11:58
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, për sa i përket protestës së bizneseve.
“Barrikadat” e Kurtit, Bajrami i ka quajtur të turpshme. Ajo ka thënë se Kurti është duke i krahasuar këto protesta me barrikadat e Listës Serbe.
“Lexova se Kurti kishte thënë që ka kaluar koha e barrikadave. Kjo konsideroj që është e turpshme për shkak se të gjithë ne e dimë se në çfarë konotacioni përdoret barrikada. Derisa zoti Kurti nuk e ka thënë asnjë fjalë të vetme për koston e transportit prej 800 euro të 1 MgW të energjisë elektrike, ai sot protestën e bizneseve e krahason me barrikadat e vendosura nga Lista Serbe, dhe kjo është totalisht e papranueshme”, ka thënë Bajrami.