
Bajrami, Kurtit: Degradimi i raporteve Kosovë-ShBA e gëzon Serbinë, neve na shqetëson
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas deklarimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili të premten ka thënë se ish-opozita po e stërmadhojnë vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën.
Bajrami përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se Kurti po e relativizon një situatë tejet serioze për Kosovën, duke e akuzuar atë se ka uzurpuar institucionet e shtetit dhe po teston kufijtë e drejtësisë.
“Sipas deputetit Kurti, Ambasada Amerikane në Prishtinë qenka e veçuar nga politika e jashtme amerikane, me siguri edhe kur është tallur me sekretarin e shtetit ka menduar që po bën shaka me një fqinjë të rëndomtë, pra ky është niveli i seriozitetit të Kurtit i cili ka uzurpuar zyrat e shtetit dhe po teston limitet e Prokurorisë, veprimin e të cilës po e presim me muaj”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka theksuar se degradimi i raporteve mes Kosovës dhe ShBA-së nuk e dëmton opozitën, por i shkon për shtat Serbisë dhe Rusisë.
“Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje uroj shumë ta kuptojnë sa më parë që degradimi i raporteve Kosovë – ShBA e gëzon Serbinë dhe Rusinë, por assesi ish opozitën. Lidhja Demokratike e Kosovës është tejet e shqetësuar për ndërprerjen e dialogut strategjik me ShBA-të dhe ne angazhohemi pa ndalë që raportet tona miqësore e diplomatike t’i ruajmë e thellojmë tutje. Natyrisht, se Kurtit nuk i duket asgjë pezullimi i procesit të fillimit të dialogut strategjik me ShBA-të sepse kurrë në jetën e tij nuk ka kontribuuar për të ndërtuar raporte me ShBA-të apo ndonjë aleatë tjetër të shtetit tonë. Kurti është tallur me sekretarin amerikan, është tallur me Shtëpinë e Bardhë dhe tash po tallet me qytetarët e Kosovës, duke thënë se dikush tjetër po ekzagjeron masën e fundit të SHBA-ve që është pezullimi i fillimit të dialogut strategjik”, ka shkruar Bajrami.
Sipas deputetes së LDK-së, për shkak të politikave të Kurtit, Kosova nga mesi i vitit 2023 është nën sanksione të BE-së, nuk ka arritur njohje të reja dhe nuk është anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.
“Për shkak të Albin Kurtit, Kosova nga mesi i vitit 2023 është në sanksione të BE-së, nuk ka marrë pothuajse asnjë njohje qe 5 vjet, përjashtim njohjes që e solli Pacolli, nuk është anëtarësuar pothuajse në asnjë organizatë. Të vetmen punë që ka bërë në këto pesë vjet Albin Kurti është rritja e tregtimit të energjisë elektrike dhe rreth 300 milionë euro tenderë njëburimor”, ka shkruar Bajrami.