Bajrami, Muratit: Kosova në kohën e UNMIK-ut s’ka pasur sanksione, sot LV-ja po e mban shtetin peng

07 maj 2025 | 13:33

Deputeti i LV-së, Hekuran Murati deklaroi se propozimi i LDK-së për qeveri tranzicionale është “kthim në kohën e UNMIK-ut”. E ndaj kësaj deklarate ka reaguar shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami.

Bajrami në një postim në “Facebook” ka shkruar se vendin në kohën e UNMIK-ut e para asaj kohe e ka kthyer LV-ja.

“Në kohën e UNMIK-ut: nuk ka pasur sanksione ndërkombëtare ndaj Kosovës, zyrtarët shtetërorë janë përgjigj institucioneve të drejtësisë e nuk i kanë mohuar ato, politikanët që kanë shkelur Kushtetutën kanë dhënë dorëheqje, nuk kanë marrë institucionet peng, Kuvendi nuk është mbledhur 12 herë me radhë për të dështuar në zgjedhjen e kryetarit”, ka shkruar Bajrami.

Ajo tutje ka shtuar se LV është ajo që ka pranuar marrëveshje me Serbinë ku i referohet Rezolutës 1244 mbi të cilën funksionon edhe UNMIK-u.

“Sot, Kosova është në krizë sepse LV nuk pranon që s’po mund të bëj shumicën, LV sot e mbani shtetin peng, sepse ata e kanë interesin e partisë para interesit të shtetit e interesin personal mbi interesin qytetarë. Mos e pranoni propozimin tonë, është e drejtë e juaja, ne nuk imponojmë, ne kemi propozuar zgjidhje, urdhëro e bëjeni shumicën e mos u tallni me shtetin dhe me qytetarët”, ka shtuar Bajrami.

Bajrami theksoi se propozimi për qeveri tranzitore përmes marrëveshjes nuk është kundër askujt por është në të mirë të të gjithë qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Pakistanit,Shehbaz Sharif ka deklaruar se forcat e armatosura…