
Bajrami: Në vitin 2021 presim rritje ekonomike prej 5.2-përqindësh
Ministrja e Financave dhe Tranfereve, Hykmete Bajrami, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës kërkoi nga deputetët që të votojnë Projektbuxhetin e vitit 2021.
Bajrami ka thënë se për vitin 2021 presin që të ketë rritje ekonomike prej 5.2 për qind.
Ajo është shprehur se projektbuxheti ka dy prioritete, përballjen me pandeminë dhe krijimin e kushteve për rimëkëmbje.
“Ky projektbuxhet tani po kërkohet të votohet në mënyrë që të mos bllokohen institucionet e vendit, në mënyrë që jeta të vazhdoj edhe pse kemi hyrë në fushatë elektorale. Projektbuxheti trajton dy prioritete, përballjen me pandeminë dhe krijimin e kushteve për rimëkëmbje. Për sa muaj që do të jemi në detyrë kjo duhet të lejohet sepse është në interes të qytetarëve”, ka deklaruar ajo.
Më tutje, ai ka thënë se të hyrat e parashikuara për vitin 2021 do të jenë 1.9 miliard, ndërsa shpenzimet rreth 2.5 miliardë.
“Edhe pse në kushte të vështira për të parashikuar atë që do të ndodhë, ne jemi munduar që bashkë me Fondin Monetar Ndërkombëtarë dhe Bankën Botërore të japim disa shifra të përafërta për të paraparë se cila do të jetë rritja ekonomike për vitin 2021. Në vitin 2021 ne kemi paraparë që do kemi rritje ekonomike prej 5.2. Ky buxhet është një nga instrumentet kyçe që të arrijmë të sigurojmë këtë rikthim. Të hyrat i kemi parashikuar të jenë 1.9 miliardë euro dhe shpenzimet 2 miliard e 412 milionë euro”, ka thënë Bajrami.