Bajrami përgjegjës për rrëzimin e qeverisë e bën Kurtin

12 maj 2020 | 09:34

Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, në emisionin “Raport” të KTV-së ka thënë se përgjegjësia për rrëzimin e qeverisë bie mbi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Ajo ka thënë se nuk është planifikuar kthimi i nxënësve në shkolla, e ka theksuar se në Prishtinë është e pamundur një gjë e tillë për shkak të numrit të madh të nxënësve.

“Nuk mund të flas për situata hipotetike. Para disa ditëve pata rastin të dëgjoj për rastin në Belgjikë, që mosshkuarja e nxënësve në shkolla ka ndikuar vetëm në pesë për qind në luftimin e Covidit, kurse higjiena deri në 40 për qind. Deri në shtator besoj se do të mund të përgatitemi. Për shkollat siç është Prishtina, pothuajse është e pamundur, ose të shkojmë me shkurtim të orareve apo mbajtje të lëndëve bazike. Por, vera do të shkojë me planifikimin për këtë dhe jemi të përgatitur për të gjithë skenarët”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka thënë se organogrami i MAShT-it nuk ka qenë i mirë, por goditja nga virusi ka marrë tërë kohën e tyre. Por, sipas saj, tani është caktuar një grup dhe është duke punuar për plotësimndryshimin e kësaj rregullore. “Gjithashtu, kemi pasur shqetësim për furnizimin me libra dhe çantat e rënda. Kemi formuar grupin për plotësimndryshimin e Ligjit për mjete dhe tekste mësimore, i cili është një nga ligjet më të rëndësishme”, ka thënë ajo.

Bajrami ka shtuar se po punohet edhe për hartimin e ligjit. “Grupi po punon për hartimin e ligjit. Fatkeqësisht, legjislacioni në fushën e arsimit ka komplet nevojë për ndryshim dhe plotësim dhe për ligje të reja. Ne kemi arritur të bëjmë disa ndryshime buxhetore. Duke ndarë buxhet për laboratorë dhe mjete të konkretizimit. Një nga statistikat më të pakëndshme është përfshirja e nxënësve në nivelin parashkollor”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka thënë se, gjithashtu, është duke u planifikuar që në vendet rurale të shndërrohen në çerdhe disa shkolla që janë të pashfrytëzuara. Më tutje, Bajrami ka thënë se përgjegjësia për rrëzimin e qeverisë bie mbi Kurtin, e jo mbi LDK-në, “se askush nuk mund ta mohojë, që në qoftë se ne do ta kemi një qeveri, e cila qeverisë 50 ditë apo 100 ditë dhe nëse çdo gjashtë muaj kemi zgjedhje, që kjo nuk ka pasoja”. “Të gjithë e dinë se ka pasoja. Por, unë mendoj se as unë dhe as partia ime nuk ishim përgjegjëse sepse ishin veprimet e partnerit tonë të koalicionit të cilat çuan drejt inicimit të mocionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Dhe përgjegjësinë këtu duhet ta mbajë kryeministri dhe jo LDK-ja. Arsyeja ka qenë raportet me ShBA-në, mirëpo pika kulminante ishte shkarkimi i njëanshëm i z. Veliu, për shkak, gjoja, të një deklarate e cila ishte e pakoordinuar”, ka thënë Bajrami.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të gjitha xhamitë në Iran do të jenë të hapura…