Bajrami: Specialja e ka shkelur Kushtetutën dhe të drejtën ndërkombëtare

14 korrik 2025 | 15:01

Në konferencën “Lira ka Emër”, akademik Arsim Bajrami ka kritikuar Gjykatën Speciale, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës së Kosovës, të drejtave themelore të njeriut dhe për komplot ndaj luftës çlirimtare të UÇK-së.

Bajrami e ka cilësuar këtë gjykatë si “derivat i një raporti të rremë dhe të fabrikuar nga Dick Marty”, që sipas tij është sponsorizuar nga Rusia dhe Serbia.

Ai ka thënë se përmes këtij procesi, po tentohet të rishkruhet historia moderne e Kosovës dhe të inkriminohet padrejtësisht lufta çlirimtare.

“Gjykata Speciale është një projekt i montuar politikisht për ta shtrembëruar të vërtetën historike të luftës sonë çlirimtare. Ajo është ndërtuar mbi një mashtrim ordiner të Raportit të Martyt dhe për këtë heshtja e Këshillit të Evropës është bashkëfajësi e pastër”, ka thënë Bajrami.

Ai ka kritikuar ashpër edhe vetë institucionet e Kosovës, duke i konsideruar si të dështuara në mbrojtjen e luftës çlirimtare dhe të qytetarëve që po përballen me këtë proces gjyqësor.

“Kuvendi e formoi Gjykatën Speciale me mirëbesim për drejtësi, por ajo tani është shndërruar në një gjykatë monoetnike e diskriminuese, që bashkëpunon më shumë me Serbinë sesa me autoritetet e Kosovës”, ka thënë ai.

Bajrami ka renditur një sërë shkeljesh që, sipas tij, e bëjnë këtë gjykatë të paligjshme dhe të paragjykuar: mbajtje të gjatë e të pajustifikuar në paraburgim, mohimi i barazisë së palëve në proces, dëshmi të fabrikuara e të përcjella nga shërbimet sekrete serbe, si dhe mungesë totale transparence dhe monitorimi ndërkombëtar.

Në lidhje me aktakuzën për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, Bajrami ka thënë se ajo është juridikisht e paqëndrueshme dhe politikisht e rrezikshme.

“UÇK-ja nuk ka qenë ushtri shtetërore me komandë qendrore. Ishte një lëvizje popullore, një guerile patriotike që s’kishte as strukturë shtetërore dhe as plan të përbashkët kriminal. Plani i vetëm shtetëror ishte ai i Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve, përmes operacionit gjenocidal ‘Patkoi’”, ka thënë akademik Bajrami, duke kritikuar institucionet e Kosovës për dështimin në mbështetjen e të akuzuarve dhe në ndërkombëtarizimin e shkeljeve që po ndodhin në këtë proces.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqyrtimi fillestar për të akuzuarin Dragan Ristiq, në Gjykatën Themelore…