
Bajrami: Vjosa Osmani e LV-ja duan Gjykatë Kushtetuese pa kuorum, s’iu pengoi përbërja e saj kur e rrëzoi qeverinë Hoti
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se as presidentes Vjosa Osmani dhe as Lëvizjes Vetëvendosje nuk i ka penguar fakti që Radomir Llaban ishte gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, kur ajo e kishte rrëzuar qeverinë Hoti.
Ajo ka shkruar në “Facebook” se sulmet që po i bëhen Gjykatës Kushtetuese, po bëhen me dëshirën për ta parë atë “pa kuorum”.
“FAKTE: As Vjosa Osmanit, as LV-së nuk iu ka penguar përbërja e Gjykatës Kushtetuese kur kjo Gjykatë ka rrëzuar qeverinë në vitin 2020, asnjë zë, asnjë fjalë në atë kohë. Albulenë, Sulmet që ju bëni gjykatave tregojnë më shumë për ju sesa për gjykatat. Po i bëni gati 5 vjet në krye të Ministrisë së Drejtësisë dhe, përpos sulmeve ndaj gjykatave, asnjë punë, asnjë reformë s’ta mban kush mend. Mos mendoni që kemi harruar, të gjithëve na kujtohet se si pas sulmit terrorist në Banjskë, Radojçiqit iu krijua një korridor dhe ai iku në pikë të ditës nën vëzhgimin e kamerave dhe deri më sot asnjë shpjegim s’ka dhënë qeveria e LV-së. Për më tepër, qeveria e LV-së pas sulmit terrorist në Banjskë ka pasur mundësi që ta shpallë organizatë terroriste Listën Serbe, por nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe sot provoni të shisni patriotizëm dhe, sa herë që ndonjë vendim i ndonjë institucioni nuk ju pëlqen, disi tentoni ta lidhni me Serbinë dhe Radojçiqin. Mos se po ju njohim!”, ka shkruar Bajrami.
Bajrami ka thënë se “po shihet sheshazi se ju LV-ja dhe Vjosa Osmani po e doni Gjykatën Kushtetuese pa kuorum. Veç na tregoni pse?”.