
Balkan Green Foundation zhvillon sot në Prishtinë Forumin Rajonal
Sot në Prishtinë mbahet Forumi Rajonal i Ballkanit Perëndimor, një ngjarje e organizuar nga Balkan Green Foundation në bashkëpunim me GIZ Kosovo. Forumi mbledh përfaqësues nga vendet e rajonit dhe partnerë ndërkombëtarë për të diskutuar mbi tranzicionin e drejtë energjetik, bashkëpunimin klimatik dhe zgjidhjet e qëndrueshme për ngrohjen në Ballkanin Perëndimor.
Forumi Rajonal i Ballkanit Perëndimor mbledh aktorë rajonalë dhe ndërkombëtarë për një ditë të plotë diskutimesh, shkëmbimesh dhe frymëzimi mbi tranzicionin e drejtë, bashkëpunimin klimatik dhe ngrohjen e qëndrueshme në rajon. Përveç paneleve, programi përfshin edhe mundësi rrjetëzimi, fjalime të ftuarish dhe aktivitete të udhëhequra nga të rinjtë.
Forumi është pjesë e projektit “Transformimi i Energjisë dhe Dekarbonizimi në Ballkanin Perëndimor”, i mbështetur nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim e Gjermanisë (BMZ), dhe zbatohet nga Balkan Green Foundation, Germanwatch e.V. (Gjermani), Belgrade Open School (Serbi) dhe Eko-svest (Maqedonia e Veriut).
Në njoftim theksohet se qëllimi i forumit është të nxisë bashkëpunimin dhe strategjitë e përbashkëta për tranzicionin e drejtë dhe dekarbonizimin në Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në formësimin e një të ardhmeje më të gjelbër për rajonin.