Ballkani për herë të parë bëhet me trajner të huaj
Ballkani zyrtarisht ka emëruar kroatin Mislav Karoglan si trajner të ri të skuadrës, duke shënuar kështu një moment historik për klubin me kroatin që është drejtuesi i parë i huaj që e udhëheq atë.
Lajmi është bërë me dije nga vetë klubi suharekas ku është theksuar se kontrata do të jetë e vlefshme për dy vjet e gjysmë.
“Karoglan, 43 vjeç, vjen në Suharekë me një eksperiencë të pasur në futbollin evropian. Ai ishte kryetrajner i klubit të njohur kroat Hajduk Split në dy raste, së fundmi sezonin 2023–24, ndërsa edicionin e kaluar 2024-25 ka drejtuar kampionin e shumëfishtë moldav Sheriff Tiraspol, me të cilin ka garuar edhe në arenën ndërkombëtare. Përpara këtyre angazhimeve, ai ka udhëhequr edhe skuadra të tjera nga elita e futbollit kroat, si Zadar dhe Istra 1961, duke ndërtuar një profil të fortë si trajner modern”, ka njoftuar FC Ballkani.
Njëherësh, klubi i ka uruar kroatit mirëseardhje.
“Trajnerit Karoglan i urojmë mirëseardhje dhe shumë fat e suksese në krye të ekipit tonë, duke besuar se puna e tij do të sjellë energji të re dhe rezultate pozitive për FC Ballkanin”, ka njoftuar klubi nga Suhareka.
Mislav Karoglan në këtë pozitë e pason Orges Shehun me të cilin Ballkani i ndau rrugët ditë më parë.



