Ballkani, Prishtina e Llapi arkëtojnë pikët e plota në shtëpi

01 prill 2023 | 17:00

Kampioni në fuqi, Ballkani ka shënuar fitore në derbin e javës së 27-të në Albi Mall Superligë, duke u rikthyer njëherësh së paku për 24 orë në pozitën e liderit. Portokallezinjtë arritën t’i gëzohen tri pikëve para tifozëve të vet në Suharekë në duel me Gjilanin, me rezultat 2:0, duke i dhënë fund serisë negative prej katër barazimesh e një humbje. Rezultatin e zhbllokoi Meriton Korenica, me golin e shënuar nga distanca në minutën e 20-të, derisa fitoren e vulosi golashënuesi më i mirë i këtij edicioni në elitë, Albion Rrahmani, në minutën e 61-të.

Prishtina është rikthyer në stadiumin “Fadil Vokrri” me fitore. Skuadra e drejtuar nga Debatik Curri ka realizuar fitoren e tretë radhazi, kësaj radhe duke e mundur Trepçën’89, me rezultat bindës 4:1. Të parët shënuan mitrovicasit, me golin e Ardian Mujës, në minutën e 30-të, por në pjesën e dytë bardhekaltrit e kryeqytetit arritën të përmbysin gjithçka. Fillimish shifrat i barazoi Albin Prapashtica (53’), kurse më pas Bujar Pllana me dy gola përmbysi shifrat (56’ e 66’), teksa rezultatin përfundimtar, 4:1, e vendosi Shefit Shefiti (85’).

Fitore të rëndësishme para tifozëve të vet shënoi edhe Llapi, që në “Zahir Pajaziti” e mundi Malishevën, me rezultat 1:0. Golin e vetëm e shënoi meksikani Francisco Rivera, në minutën e 79-të. Pas kësaj fitoreje, skuadra e Tahir Batatinës stabiliziohet në renditje me 36 pikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy tërmete të njëpasnjëshme kanë goditur shtetin turk. Dy tërmete…