Banjska 2023, terrorizëm i sponsorizuar nga Beogradi e i amnistuar nga ndërkombëtarët!

24 shtator 2025 | 13:01

Shkruan: Profesor Bujar Dugolli

Mëngjesi i hershëm i 24 shtatorit 2023 shënoi një nga ngjarjet më të rënda të pasluftës në Kosovë. Grupi terrorist i armatosur dhe i organizuar nga Beogradi sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa për orë të tëra Kosova u përball me një akt të pastër agresioni shtetëror. Hetimet e mëvonshme, si ato vendore ashtu edhe ndërkombëtare, vërtetuan qartë se prapa këtij operacioni paramilitar qëndronte shteti serb, i cili jo vetëm e armatosi dhe financoi grupin por edhe e udhëhoqi politikisht.

Edhe pse faktet u bënë publike dhe askush nuk kishte dyshim për gjurmët që çonin drejt Beogradit, reagimi i faktorit ndërkombëtar ishte dhe vazhdon të jetë zhgënjyes. As Bashkimi Evropian dhe as Shtetet e Bashkuara nuk morën masa ndëshkuese ndaj Serbisë. Përkundrazi, Serbia vazhdoi të trajtohej si një partner i privilegjuar në dialog, ndërkohë që agresioni i saj u relativizua si një incident i izoluar. Ky standard i dyfishtë jo vetëm që e inkurajon Beogradin por edhe e minon besimin e qytetarëve të Kosovës te institucionet ndërkombëtare, të cilat shpesh e theksojnë sundimin e ligjit dhe llogaridhënien si parime themelore.

Siç u vërtetua më pas, qëllimi i këtij sulmi terrorist ishte i qartë. Synohej të sfidohej sovraniteti i Kosovës në veri dhe të krijohej një vatër destabiliteti e kontrolluar nga Beogradi. Me këtë, Serbia kërkonte ta përsëriste, në një formë tjetër, skenarin rus të Donbasit duke ngritur një zonë të armatosur me struktura paralele që më pas do të shërbente si pretekst për ndërhyrje politike dhe madje edhe ushtarake. Mesazhi i Beogradit ishte i thjeshtë Veriu i Kosovës nuk është nën kontrollin e Prishtinës por nën mbikëqyrjen tonë. Këtë narrativë Serbia e përsëriste vazhdimisht, përpara faktorit ndërkombëtar dhe kishte depërtuar edhe te disa qarqe vendore si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, të cilët veriun e Kosovës e trajtonin si “tokë të askujt” dhe si fakt të kryer që duhej vetëm formalizuar përmes një autonomie territoriale, e cila në një fazë të mëvonshme do të hapte rrugën për aneksim nga Serbia.

Nga 24 shtatori 2023 e deri në këtë dyvjetor shteti i Kosovës tregoi se sundimi i rendit dhe ligjit nuk kanë alternativë dhe se sovraniteti i vendit nuk mund të sfidohet nga askush. Qetësia dhe liria e lëvizjes u rikthyen si asnjëherë më parë edhe në veriun e Kosovës, i cili më herët ishte shndërruar në vatër të krimit të organizuar dhe terrorizmit nga bandat kriminale. Kosova sot sipas raportit të organizatës amerikane Gallup “Siguria Globale 2025”, renditet e para në Evropë dhe e treta në botë në Indeksin për Ligj dhe Rend, me gjithsej 94/100 pikë sa është vlerësimi maksimal.

Në këtë pikë është e domosdoshme të theksohet se kërkesa për drejtësi dhe llogaridhënie ndaj Serbisë nuk është vetëm çështje e institucioneve të Kosovës, por duhet të bëhet një kauzë e përbashkët kombëtare e shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri. Pa një unitet kombëtar në këtë drejtim dhe pa një presion të qartë ndaj komunitetit ndërkombëtar, rrezikohet që krime të tilla të kalojnë në heshtje. Është koha që edhe Shqipëria të artikulojë qartë se pa drejtësi për Banjskën nuk mund të ketë as progres real në dialog dhe as paqe të qëndrueshme në rajon.

Dy vite pas Banjskës, mësimi më i hidhur nuk është vetëm brutaliteti i Serbisë por edhe indiferenca ndërkombëtare. Një agresion i dokumentuar shtetëror nuk u trajtua si i tillë, duke i lënë viktimat pa drejtësi dhe duke dërguar sinjalin se dhuna mund të përdoret si mjet politik pa pasoja. Kosova sot ka të drejtë të pyesë nëse vrasja e një polici dhe një sulm terrorist i sponsorizuar nga shteti fqinj nuk mjaftojnë për sanksione apo masa ndaj Serbisë, atëherë çfarë duhet të ndodhë më shumë.

Sot, në këtë përvjetor kujtojmë me nderim sakrificën e Afrim Bunjakut dhe përulemi para guximit të policëve të Kosovës që mbrojtën shtetin nga një agresion i orkestruar. Por njëkohësisht duhet ngritur zëri kundër padrejtësisë ndërkombëtare që e kaloi në heshtje Banjskën. Sepse mosndëshkimi i Serbisë nuk është vetëm padrejtësi për Kosovën por një precedent i rrezikshëm për gjithë rajonin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot (e mërkurë) janë bërë dy vjet nga agresioni i…