
Banorët e Uashingtonit kundërshtojnë trupat federale të vendosura nga Trumpi
Disa mijëra protestues marshuan të shtunën në rrugët e Washington D.C. për të kërkuar që presidenti i ShBA-së, Donald Trump, t’i japë fund vendosjes së trupave të Gardës Kombëtare që patrullojnë kryeqytetin amerikan.
Protestuesit, përfshirë emigrantë pa dokumente dhe mbështetës të shtetësisë palestineze, morën pjesë në marshimin “Ne të gjithë jemi në Washington D.C.”, duke brohoritur slogane kundër presidentit Trump dhe mbajtur postera me mesazhe të tilla si: “Trump duhet të largohet tani”, “Lironi Uashington D.C.” dhe “Rezistoni Tiraninë”.
“Jam këtu për të protestuar kundër pushtimit të Uashington D.C.,” tha Alex Laufer. “Ne po kundërshtojmë regjimin autoritar dhe duhet të largojmë policinë federale dhe Gardën Kombëtare nga rrugët tona.”
Vendosja e trupave erdhi pasi Trump pretendoi se krimi po e shkatërronte qytetin dhe se ishte e nevojshëm ndërhyrja për të “rivendosur ligjin, rendin dhe sigurinë publike”.
Presidenti Trump e ka vendosur gjithashtu Departamentin e Policisë Metropolitane të distriktit të kryeqytetit nën kontrollin e drejtpërdrejtë federal dhe ka dërguar personel federal të zbatimit të ligjit, përfshirë agjentë të Zbatimit të Imigracionit dhe Doganave, për të kontrolluar rrugët e qytetit — një veprim që kritikët e kanë cilësuar si tejkalim federal, shkruan Reuters.
Në rrjetet sociale, Trump publikoi një imazh nga filmi i luftës së Vietnamit të vitit 1979 “Apokalipsi Tani”, duke kërcënuar Çikagon me deportime të emigrantëve, në një tjetër paralajmërim për masa të ashpra në qytete të tjera të udhëhequra nga demokratët.