
Baraliu kërkon trajtim serioz të fakteve për Listën Serbe
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka anuluar vendimin e KQZ-së të datës 21 gusht për refuzimin e certifikimit të kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, për shkak të vlerësimit se kandidatët e kësaj liste nuk i përmbushin kriteret ligjore për të qenë pjesë e garës zgjedhore.
Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, i cili ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të trajtojnë me seriozitet dokumentacionin dhe faktet që lidhen me këtë subjekt politik.
Baraliu ka thënë për KosovaPress, se Lista Serbe është dëshmuar se me veprimtarinë e saj është e dirigjuar nga Beogradi zyrtar.
“Është çështje e organit kompetent, PZAP-it se si e ka vlerësuar, do të duhej që të thellohet secili për të dhënë një vlerësim të duhur në dokumentacionin ekzistues të organeve të sigurisë dhe të partisë LVV, që ka ofruar sipas tyre dokumentacion të mjaftuar për ta përjashtuar nga regjistri. Është me rëndësi në qoftë se ka elemente, nga ato që dihen edhe publikisht, pa paragjykuar asgjë askush nga ne, ajo që shihet me sy kaq shumë vite prej themelimit, edhe vetë themelimi i këtij subjekti politik si një strukturë e veçantë, që mendoj që është bërë gabimi i madh i asaj strukture atëherë përfaqësuese të institucioneve tona dhe tanimë ajo është dëshmuar se me veprimtarinë e saj është e teledirigjuar nga Beogradi dhe është instrument i Beogradit”, ka thënë Baraliu.
Ai ka theksuar se çështja pritet të kalojë në Gjykatën Supreme, e cila duhet të mbetet e paanshme dhe të mos ndikohet nga presione politike.
“Ata (Gjykata Supreme) kanë një detyrë të rëndësishme të jenë objektiv, të mos jenë të ndikuar politikisht, si duket ka presione dhe është i dukshëm nga bashkësia ndërkombëtare, e cila është e njëanshëm në Kosovë, kur është puna për këto çështje, e dinë mirë se kush është Lista Serbe dhe insistojnë që të certifikohet… 3:00 Mendoj që Gjykata Supreme duhet ta ketë shumë të qartë përgjegjësinë e saj dhe ta analizojë mirë rastin dhe të merret një vendim në qoftë se nuk ka elemente për t’u çregjistruar atëherë ta lë atë, nëse ka elemente pa paragjykuar, të gjitha rrugët të dërgojnë në një konkluzion që kjo organizatë politike është më shumë sesa strukturë politike”, ka shtuar ai.
Baraliu ka komentuar sjelljen e partive politike në raport me proceset zgjedhore dhe vendimmarrjen në KQZ për certifikimin e Listës Serbe, duke vënë në pah mungesën e gatishmërisë për përgjegjësi dhe kompromis politik.
“Mungesa e vetëdijes politike dhe në gatishmëri për kompromis për tejkalimin e çështjeve, të cilat ndonjëherë nuk mund të tejkalohen nga disa subjekte politike. Konformizëm i tyre, i cili edhe kësaj radhe u dëshmua me një abstenim ose mospjesëmarrje të dikujt, jemi të pa konsoliduar sa duhet edhe si klasë politike dhe parti politike dhe kjo është pasojë e kësaj. Përfaqësuesit e partive në KQZ, do të duhej jenë shumë më të përgjegjshëm të rezultojnë me argumente pa e dëmtuar askënd, mirëpo ka mjaft argumente deri te Banjska, pas e para Banjskës, kaq vite që ata e shkelin për çdo ditë Kushtetutën, qoftë me emërtimin e Kosovës, bojkotimin e institucioneve, vendeve të garantuara në Kuvend. Nëse nuk ka argumente edhe ata duhet të kenë të drejtë të garojnë”, ka thënë Baraliu.
QUINT-i dhe Zyra e BE-së kanë reaguar për refuzimin e certifikimit të Listës Serbe nga ana e KQZ-së.
Kujtojmë, KQZ ka refuzuar të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale. Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje thanë se kandidatët e Listës Serbe janë anëtarë të strukturave paralele serbe dhe se kjo parti është dorë e zgjatur e Aleksandar Vuçiq në Kosovë.