Baraliu: Reforma zgjedhore të jetë prioritet në vitin 2018

22 dhjetor 2017 | 20:29

Njohësi i proceseve zgjedhore, profesori Mazllum Baraliu, ka thënë se gabimet teknike që janë shfaqur në proceset zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) janë teknike dhe mund të përmirësohen.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se gabimet e tilla të natyrës teknike nuk duhen dramatizuar me një natyrë politike.

“Nuk janë gabime substanciale. Ato mund të përmirësohen. Megjithatë, këto gabime teknike të KQZ-së mund të ngjallin dyshime te partitë politike, sidomos aty ku janë humbës kandidatët e tyre”, është shprehur Baraliu.

Ai ka thënë se këto gabime mund të evitohen falë një reforme të thellë në legjislacionin elektoral.

Në këtë kontekst, Baraliu ka vlerësuar se reforma zgjedhore duhet të jetë prioritet i institucioneve shtetëror në vitin 2018.

“Reforma zgjedhore duhet të jetë prioritet i prioriteteve të institucioneve shtetërore në vitin 2018 për arsye se legjislacioni elektoral është i patransformuar që nga koha e UNMIK-ut. Ligjet në fuqi kanë shumë të meta dhe shumë kontradikta me njëri-tjetrin. Pra, ka kontradikta ligji me ligjin, neni me nenin dhe dispozita me dispozitën. Po ashtu, kompetencat e institucioneve shpeshherë janë të dyfishuara ose të pasqaruara, me ç’rast nuk dihet kush ka të drejtë. Të gjitha këto dhe të tjerat do të duhej të kodifikohen në një kod elektoral”, ka deklaruar ai, duke shtuar se pjesë e kësaj reforme duhet të jetë edhe çështja e balotazhit.

“Epoka e re”: Z. Baraliu, këto ditë KQZ-ja ka qenë cak i akuzave të AAK-së për shkak të një gabimi teknik sa i përket rezultatit të rivotimit në Komunën e Istogut. Sipas AAK-së, KQZ-ja u ndikua nga presioni i LDK-së. Si e komentoni këtë situatë?
Baraliu: Është në natyrën e luftës politike që bëjnë partitë politike për pushtet dhe për fitore në një cikël elektoral. Edhe kësaj radhe kanë reaguar në situata të ndryshme kur rezultati preliminar ose përfundimtar nuk ka qenë i volitshëm. Reagimi i AAK-së në këtë rast është i natyrës politike, por është edhe traditë e subjekteve politike të cilat i shpallin fitoret para kohe. Sipas mendimit tim, kjo nuk është traditë e mirë. Është e vërtetë se mund të ndodhin gabime teknike dhe nuk mendoj se KQZ-ja ka faj. Por qëllimi dhe dëshira e madhe për fitore, qoftë e njërit subjekt apo tjetrit, pretendojnë se janë bërë gabime dhe që dikush është fajtor kujdestar, në këtë rast KQZ-ja. Mirëpo të gjitha partitë do të duhej t’i kthehen procesit dhe t’i besojnë procesit, sepse i kanë pasur përfaqësuesit e tyre, të cilët e kanë monitoruar procesin. Ato nuk duhet ta shpërndajnë fajin tek dikush tjetër, por duhet t’i presin afatet ankimore dhe të shihet se çfarë po thotë PZAP-i, eventualisht Gjykata Supreme.

“Epoka e re”: Por ky nuk është i vetmi gabim teknik i KQZ-së, pasi gjatë zgjedhjeve lokale ka pasur disa të tilla. Megjithatë, këto gabime, si duket, nuk po menaxhohen si duhet nga KQZ-ja?
Baraliu: Po, është e vërtetë dhe keni të drejtë sepse KQZ-ja nuk është e përkryer. Pra, është e evidente se në punën e KQZ-së shpeshherë kanë ndodhur dhe po vazhdojnë të ndodhin gabime të tilla, të cilat përshkruhen si teknike, madje edhe unë po dua t’i përshkruaj si teknike, por që mund të jenë më tepër se kaq. KQZ-ja ka të instaluar një sistem digjital dhe do të duhej të mos i ndodhin gabime fillestare, meqë është institucion me përvojë më shumë se një dekadë. KQZ-ja do të duhej të ishte institucion i konsoliduar dhe profesional. Mirëpo gabimet ndodhin dhe nuk duhen dramatizuar gabimet teknike me një natyrë politike. Nuk janë gabime substanciale. Ato mund të përmirësohen. Këto gabime teknike të KQZ-së mund të ngjallin dyshime te partitë politike, sidomos aty ku janë humbës kandidatët e tyre.

“Epoka e re”: Si mund të evitohen këto gabime në të ardhmen?
Baraliu: Këto gabime dhe të tjerat mund të evitohen me anë të reformave të thella që duhet të ndodhin në gjithë legjislacionin elektoral, në sistemin elektoral dhe procesin elektoral. Pra, duhet reformë e thellë edhe për organizimin dhe mënyrën e funksionimit të KQZ-së dhe të sekretariatit. Një reformë gjithëpërfshirëse e cila do të bënte në tërësi nga alfa në omega reformimin e gjithë këtyre segmenteve që përmenda, varësisht legjislacionit dhe modelit, në mënyrë që të kemi një institucion të pavarur dhe profesional. Kjo reformë do të ndikonte që gabimet të minimizohen apo të mos ndodhin fare, qofshin ato teknike apo substanciale.

“Epoka e re”: Kjo reformë, përmes së cilës synohet të avancohet procesi dhe të evitohen gabimet, a mendoni se duhet të jetë prioritet i institucioneve në vitin 2018?
Baraliu: Reforma zgjedhore duhet të jetë prioritet i prioriteteve të institucioneve shtetërore në vitin 2018 për arsye se legjislacioni elektoral është i patransformuar që nga koha e UNMIK-ut. Ligjet në fuqi kanë shumë të meta dhe shumë kontradikta me njëri-tjetrin. Pra, ka kontradikta ligji me ligjin, neni me nenin dhe dispozita me dispozitën. Po ashtu, kompetencat e institucioneve shpeshherë janë të dyfishuara ose të pasqaruara, me ç’rast nuk dihet kush ka të drejtë. Të gjitha këto dhe të tjerat do të duhej të kodifikohen në një kod elektoral. Duhet një reformë rrënjësore, e cila do të duhej të ishte prioritet i prioriteteve të kësaj qeverie në vitin e ardhshëm. Nuk do të ishte mirë që në zgjedhjet e ardhshme, qofshin të parakohshme apo brenda mandatit katërvjeçar, të shkohet me këtë legjislacion të pareformuar.

“Epoka e re”: Z. Baraliu, këto ditë është komentuar shumë çështja e heqjes së balotazhit. Jeni për heqjen e balotazhit?
Baraliu: Nuk do të përcaktohesha për këtë, sepse ka elemente që shkojnë në favor të mbajtjes së balotazhit dhe ka elemente që janë kundër balotazhit. Anët pozitive dhe negative të balotazhit janë vënë në pah edhe gjatë këtij procesi. Mirëpo do të ishte mirë që në kuadër të reformës, edhe kjo çështje, krahas pragut zgjedhor, votimit me kusht, votimit të diasporës, votimit elektronik dhe shumë elementeve të tjera, të debatohet gjerë e gjatë nga institucionet përkatëse. Pastaj, pas debatit të gjerë publik, të vendoset nëse duhet të hiqet apo jo balotazhi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka paralajmëruar se…