Baraliu: Vetëvendosja mund ta vonojë krijimin e qeverisë së re

30 mars 2020 | 08:09

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë së dielës ka thënë se Kushtetuta e Kosovës e ka bërë të qartë se një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë së dielës ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që vendi të shkojë në zgjedhje pasi të mbarojë pandemia.

Në një koment në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, sipas Kurtit, Kushtetuta e Kosovës e ka bërë të qartë se një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër.

Mirëpo, Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka bërë me dije se qeveria e re mund të bëhet edhe pas mocionit “Thirrja në precedent për shpërndarje të Kuvendit pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj qeverisë do të kishte kuptim sikur Kushtetua nuk do të kishte dispozita mjaftueshëm të qarta se si mund të veprohet në këso raste. Kushtetuta jonë është e qartë dhe jep opsione: i) nisjen e procedurave nga fillimi për zgjedhjen e qeverisë së re ose ii) shpërndarjen e Kuvendit. Opsioni i dytë do të duhej të ishte vetëm si rezultat i mungesës së shumicës parlamentare për të formuar qeverinë e re, apo nëse ky është vullnet politik i 2/3-së së deputetëve të cilët do të votonin për shpërndarjen e Kuvendit”, ka shkruar Krasniqi në profilin e vet zyrtar në rrjetin social “Facebook”.

Mirëpo sipas Mazllum Baraliut, ekspert i çështjeve kushtetuese, dorëheqja nga posti i kryeministrit dhe rrëzimi i qeverisë përmes mocionit në esencë nuk dallojnë.

Baraliu për lajmi.net ka sqaruar se çka nënkupton neni 82 dhe 95 i Kushtetutës së Kosovës.

“Në esencë nuk dallojnë. Në esencë është e njëjta gjë, atëherë ka dhënë dorëheqje kryeministri dhe me pranimin e mocionit, gjegjësisht dorëheqjes së tij, bie qeveria. Ashtu thotë neni 95 i Kushtetutës. Ndërkaq me mocion të mosbesimit, po ashtu, rrëzohet qeveria, pra bie komplet qeveria dhe rezultati është i njëjtë, por të njëjtën gjë sikur atëherë do të duhej edhe në këtë situatë të mocionit të mosbesimit t’i jepej mundësia partisë së parë fituese, në këtë rast Vetëvendosjes, që ta formojë qeverinë meqë sapo kemi pasur një cikël zgjedhor dhe në qoftë se kjo (Vetëvendosja), këtë e konsumon, nuk ka kandidat, atëherë presidenti ka mundësi që në bazë të nenit 82 të Kushtetutës ka mundësi që t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme, por edhe në bazë të nenit 95 po ashtu ka mundësi të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme”, sqaroi Baraliu.

I pyetur nga lajmi.net se çka ndodhë nëse Vetëvendosja nuk e dërgon emrin e mandatarit te presidenti, dhe se a mund ta vonojë një veprim i tillë zgjedhjen e qeverisë së re, Baraliu ka thënë se në bazë të Kushtetutës nuk ka afate të caktuara dhe rrjedhimisht, sipas tij, kjo mund të krijojë vakuum deri në pafundësi.

“Fatkeqësisht, është një vakuum në Kushtetutën e Kosovës që nuk ka afat të caktuar se prej momentit kur presidenti i mandaton një parti politike në këtë rast që ka shumicën në Kuvend e që është Vetëvendosje, që ta japë mandatarin nuk ka afat të caktuar pas sa ditësh duhet domosdoshmërisht ta japë përgjigjen. Pra, është një vakuum që lë mundësi që në pakufi të mos jepet përgjigjja fare dhe kështu të vazhdojë qeveria në detyrë dhe ky është një defekt i Kushtetutës. Prandaj, ka mundësi që Vetëvendosja ta shtyjë në një afat të pacaktuar dhënien e përgjigjes dhe presidenti nuk është i lirë që pastaj, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, t’ia japë besimin ndonjë partie tjetër të tretë ose koalicioni paszgjedhor që mund të bëhet, në këtë rast siç është planifikuar nga LDK-ja që të bëhet me AAK-në dhe Nismën”, theksoi Baraliu.

Duhet theksuar se më 25 mars Kuvendi i Kosovës me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim votoi për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. Qeveria Kurti ishte zgjedhur më 3 shkurt 2020.

Mocioni u ngrit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është pjesë e qeverisë. Aktualisht qeveria është në dorëheqje.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se do të mbajë konsultime me partitë politike lidhur me krijimin e një qeverie të re./Lajmi.net

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se…