Barazia gjinore, prioritet në Lojërat Mesdhetare
Në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, Komisioni “Women and Sport” i Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka zhvilluar takim me Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), ku në fokus ishte roli i grave dhe pjesëmarrja e tyre në këtë ngjarje të madhe sportive.
Në takim ishte i pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i ICMG-së, Iakovos Filipoussis, i cili diskutoi me përfaqësuesit e KOK-ut për avancimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave në sport, si në aspektin e pjesëmarrjes së sportisteve, ashtu edhe në strukturat organizative të Lojërave Mesdhetare. “Dua t’ju falënderoj gjithashtu edhe ju, sepse pas kaq shumë vështirësish, keni dëshmuar edhe një herë përkushtimin tuaj ndaj këtij Komisioni, i cili është themelor për organizatën tonë. Është shumë e rëndësishme që të ofrojë mjetet dhe të japë ide se si të rritet pjesëmarrja e grave në sport në rajonin tonë. Dua të theksoj se për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që gjatë Lojërave Taranto 2026 të ketë barazi gjinore në pjesëmarrje mes burrave dhe grave, dhe kjo është shumë, shumë e rëndësishme në krahasim me shifrat e organizimeve të mëparshme. Prandaj, ne llogarisim në kontributin tuaj si Komitet Ekzekutiv për të marrë informacione, ide, propozime dhe gjithçka që mund të rrisë rolin e përfaqësimit të grave në Lojërat Mesdhetare, si dhe për të gjetur një mënyrë për ta mbështetur këtë fushatë brenda vendeve tona anëtare”, ka thënë Filipoussis.
Ndërsa presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ka falënderuar Filipoussis për përkrahjen, duke theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për të garantuar barazi gjinore dhe për të rritur përfaqësimin e grave si në fushën e lojës, ashtu edhe në strukturat vendimmarrëse të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.



