Barça ia beson fanellën legjendare me numër 10 Lamine Yamalit

17 korrik 2025 | 10:50

Barcelona ka zyrtarizuar emrin e ri që do të mbajë fanellën ikonike me numrin 10: Lamine Yamal. Talenti 18-vjeçar, i lindur në Mataro, u shpall publikisht si pasuesi i legjendave të mëdha të klubit, nga Maradona te Messi, duke vulosur edhe rinovimin e kontratës deri në vitin 2031.

Njoftimi i klubit katalanas u shoqërua me një murale gjigante në lagjen Rocafonda me mesazhin “De Rocafonda al mundo. Lamine Yamal 10”, duke e kthyer vendlindjen e futbollistit në simbol krenarie për Barçën dhe gjithë Spanjën.

Sipas raportimeve jozyrtare, kontrata e re i garanton Yamalit një pagë rreth 20 milionë euro në sezon dhe përfshin një klauzolë lirimi astronomike prej 1 miliard eurosh. Klubi nuk ka konfirmuar shifrat, por e vetmja shumë e bërë publike është ajo që lojtari do të përfitojë për sezonin e ardhshëm.

Në konferencën për shtyp, Lamine Yamal u shfaq përkrah familjes dhe shprehu emocionet e tij: “Ishte ëndrra ime e fëmijërisë dhe po e realizoj këtu në Barcelonë, e cila është shtëpia ime. Kam jetuar këtu që kur isha 7 vjeç”.

Duke folur për ambiciet e tij, Yamal ka shtuar: “Qëllimi është të fitojmë, të fitojmë dhe të fitojmë edhe më shumë. Në ‘Camp Nou’-n e ri do t’i japim tifozëve gëzim, sepse futbolli është për të argëtuar”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka publikuar listën me shtatë…