Barcelona i ofron kontratë të re Lewandowskit
FC Barcelona i ka ofruar sulmuesit Robert Lewandowski mundësinë që të qëndrojë në klub edhe për sezonin e ardhshëm, nëse ai dëshiron. Sulmuesi 37-vjeçar është në vitin e fundit të kontratës dhe aktualisht nuk ka qartësi për të ardhmen e tij.
Sulmuesi polak këtë sezon e ka humbur për pjesën më të madhe vendin në formacionin startues ndaj Ferran Torres, megjithatë javët e fundit trajneri Hansi Flick i ka dhënë më shumë minuta për ta rikthyer në formë. Pavarësisht kësaj, Barcelona po synon të transferojë një sulmues të ri gjatë verës si pjesë e planeve të saj.
Sipas raportimeve të “Sport”, klubi katalanas tashmë i ka ofruar Lewandowskit një kontratë të re, e cila përfshin një ulje page rreth 50%, por me bonuse të ndryshme që mund të rrisin ndjeshëm të ardhurat përfundimtare. Presidenti Joan Laporta ka deklaruar publikisht se është pro qëndrimit të sulmuesit me përvojë.
Ndërkohë, Barcelona mund të lejojë largimin e Ferran Torres gjatë verës nëse Lewandowski qëndron, pasi nuk beson se tre sulmues të tipit “numër 9” mund të bashkëjetojnë në të njëjtën skuadër. Nga ana e tij, Lewandowski dëshiron garanci për një rol të rëndësishëm në ekip nëse do të firmosë kontratën e re, sidomos nëse vjen një emër i madh në sulm.
I njëjti medium citon edhe gazetarin polak Janusz Michalik, i cili thotë se trajneri i Chicago Fire, Gregg Berhalter, beson se Lewandowski do të qëndrojë në Kataloni edhe sezonin e ardhshëm. Qëndrimi te Barcelona ka qenë gjithmonë prioriteti i tij, pavarësisht ofertave të tjera, përfshirë edhe atë nga Chicago Fire.
Përveç mundësisë për të kaluar në Shtetet e Bashkuara, Lewandowski ka interesim edhe nga Juventus dhe AC Milan, ndërsa edhe klubet nga Arabia Saudite synojnë ta transferojnë atë në kampionatin e tyre. Megjithatë, vendimi final tashmë duket se është në duart e vetë sulmuesit polak.



