Barcelona pranë rinovimit me Eric Garcian
Barcelona nuk pritet të bëjë shumë lëvizje në afatin kalimtar të janarit, por para hapjes së merkatos, klubi ka disa çështje të brendshme për të zgjidhur. Më urgjentja lidhet me Eric Garcian, të cilit i skadon kontrata në fund të këtij sezoni.
Eric është ndoshta mbrojtësi më i mirë i Barcelonës këtë sezon, me Hansi Flick që ka llogaritur në të si mbrojtës i djathtë dhe qendërmbrojtës. Në total, ai ka zhvilluar 16 paraqitje në të gjitha garat, dhe duke pasur parasysh nivelin e performancës së tij, pritet të vazhdojë të ketë një rol të rëndësishëm te katalanasit deri në fund të kampionatit.
Sipas situatës aktuale, ky do të ishte sezoni i fundit i Eric-ut me Barcelonën, dhe me Paris Saint-Germain që shfaq interes për ta transferuar, e ardhmja e tij mbetet disi e pasigurt. Megjithatë, shumë gjasa ka që ai të qëndrojë në “Spotify Camp Nou”, pasi “Sport” raporton se marrëveshja për rinovimin e kontratës pritet të finalizohet para fundit të vitit 2025.
Agjenti i Eric-ut, Ivan De la Pena, ka qenë në bisedime me drejtorin sportiv të Barcelonës, Deco, prej disa kohësh, dhe në javët e ardhshme shpresohet që marrëveshja të përmbyllet. Plani është që lojtari të nënshkruajë deri në vitin 2029, me opsion për një vit shtesë – që do ta mbante në klub deri në vitin 2030.
Ka shumë logjikë që Barcelona ta sigurojë Eric-un me kontratë të re, duke pasur parasysh rëndësinë e tij për ekipin e parë. Ai ka qenë shumë i besueshëm këtë sezon – gjë që është për t’u vlerësuar, pasi pas rikthimit nga huazimi mbresëlënës te Girona gjatë sezonit 2023-24, fillimisht nuk kishte hapësirë të madhe në skuadër.
Barcelona do të dëshironte me çdo kusht ta përfundojë rinovimin e Eric-ut para fundit të këtij viti, për të shmangur mundësinë që PSG të hyjë në bisedime për një parakontratë. Por për momentin, ende mbetet punë për t’u bërë.



