
Barcelonës i duhet ende të presë për rikthimin në ‘Camp Nou’
Barcelona të dielën nuk do të kthehet në “Camp Nou”, pasi Këshillk komunal ka refuzuar t’i japë klubit lejen për rihapjen e stadiumit.
Gjigantët katalanas po përpiqen të rikthehen në “Spotify Camp Nou” me një kapacitet prej 27 mijë vendesh, ndërkohë që vazhdojnë punimet e rinovimit në shtëpinë e tyre.
Presidenti Joan Laporta dhe nënkryetarja institucionale, Elena Fort kishin shprehur shpresat e tyre për marrjen e licencës që klubi ka nevojë për të hapur sërish stadiumin të martën, por ato shpresa dolën të kota.
Sipas raportimeve të “Sport”, Këshilli nuk ua ka dhënë atë leje për arsye sigurie. Pas konfirmimit nga Këshilli se stadiumi nuk mund të hapej, Barcelona ka njoftuar se ndeshja e radhës do të zhvillohet në “Estadi Olímpic Lluís Companys” në Montjuic. Blaugranat do të përballen me Real Sociedadin të dielën në mbrëmje si vendas, ndërsa UEFA tashmë kishte konfirmuar që edhe ndeshja e Ligës së Kampionëve më 1 tetor kundër Paris Saint-Germain do të luhet aty.