“Bardhësitë e atdheut”, libri më universal, gjithëpërfshirës dhe më i kompletuar për heronjtë dhe sakrificat e atdheut

13 janar 2019 | 14:42

Libri enciklopedik “Bardhësitë e Atdheut” i publicistit Afrim Mustafa shtjellon fakte të shumta, pasqyron ngjarje dhe luftën e UÇK-së të cilat, edhe nëse i kemi dëgjuar, kujtesa e shoqërisë nuk i ka arritur t’i mbajë të gjitha në mend, andaj duke shfletuar këtë libër i rikujtojmë ngjarjet e mëdha, e duke rikujtuar nuk i harrojmë ato sakrifica dhe ato flijime për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës…

Jo vetëm për nga volumi, por më shumë për nga përmbajtja mbetet libri më i kompletuar i kësaj natyre, i botuar deri më tani në Kosovë dhe në trojet shqiptare. Prandaj, vetëm me një përkushtim të kësaj natyre dëshmohet e vërteta e luftës së lavdishme të UÇK-së, UÇPMB-së dhe UÇK-së… Regjistrimi kaq i kujdesshëm për të rënët në luftën e Kosovës, por edhe për dy luftërat e tjera, është një respekt i drejtpërdrejtë për këto luftëra, ku vetë autori ishte pjesëmarrës, është nderim dhe respekt për heronjtë dhe dëshmorët, si dhe të rënët e tjerë, por më shumë është një respekt për lirinë, për të tashmen dhe për ardhmërinë e këtij vendi…

Shkruan: Shefqet Dibrani

Vepra: “Bardhësitë e Atdheut”, është radhitur si libër enciklopedik me rëndësi kapitale për autorin, për shoqërinë dhe për historiografinë e Kosovës. Afrim Mustafa, shquhet si mbledhës i kujdesshëm i shënimeve për dëshmoret dhe të rënët në luftë, kurse libri është dëshmi e luftës së Kosovës dhe luftërave të tjera në hapësirën shqiptare në Ballkan.  Libri “Bardhësitë e Atdheut” është ribotuar disa herë, (shqyrtimi ynë ka të bëjë me një botim të vitit 2014), por secili botim i mëvonshëm është plotësuar dhe është zgjeruar me portrete dhe të dhëna të reja për dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës, duke e bërë librin një Enciklopedi e sojit të vet, një përkushtim i rrallë për t’i publikuar të gjithë dëshmorët, heronjtë dhe veteranë e luftëtarë të Luftës së Kosovës 1998-1999.

Autori, është përkujdesur në aspektin profesional për të angazhuar emra të njohur të luftës, shkencës dhe fesë, me të cilët ka krijuar stafin e librit, një vlerë tjetër universale, e cila bartet edhe në brendësinë e librit. Në mesin e këtij stafi, janë: Dr. Jakup Krasniqi, Akad. Esat Stavileci, Akad. Pajazit Nushi, Dr. Don Lush Gjergji, Gjeneral, Kudusi Lama, Dr. Jahja Drançolli, dr. Teuta Hadri, Mr. Naim Tërnava etj. Ndërsa, diku në brendësi në një faqe të plotë është “Ekipi këshillëdhënës i monografisë”, që kanë ndihmuar autorin për mbledhjen e të dhënave, duke i falënderuar ata publikisht, e për vete autori ka dëshmuar vlerë intelektuale dhe qasje humane. Libri “Bardhësitë e Atdheut”, hapet me Tri emblemat e UÇK-së, të shoqëruara me tekstit e Betimit, të cilin e ka bërë ushtari në luftë. Pastaj, është fjala e kryerecensentit, dr. Jakup Krasniqi, atëherë, kryetar i Parlamentit të Republikës së Kosovës, e në vazhdim, janë prezantuar: Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani, Adrian Krasniqi, Xhevë e Fehmi Lladroci, Ismet Jashari, Mujë Krasniqi, Ilaz kodra, Halit Geci, Gursel e Bajram Sylejmani, Salih Çekaj, Ilir Konushevci, Gjylsere Saiti, Bekim Berisha, Hyrë Emini, e shumë të tjerë. Në parathënien e shkruar nga vet autori, ai ka vlerësuar kontributin e secilit intelektual, luftëtar dhe veprimtar për kauzën kombëtare, duke ua përmendur meritat, gjithsecilit. Këtë vlerësim, autori e ka bërë edhe për Presidentin Historik: dr. Ibrahim Rugova, për të cilin shkruan: “Pa mëdyshje, një nderim të jashtëzakonshëm me veprimet e tij madhore e thellë përkushtuese për Kosovën, për lirinë dhe për pavarësinë e saj dhe për gjithë Shqiptarinë, na dha deri në fund të Jetës së tij, presidenti Historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova (1944 – 21 janar 2006). Rugova, ky binom i të mirave kombëtare, e veçanshëm kontribuues dhe ndërtues unikat i lirisë së Republikës së Kosovës, do të kujtohet e nderohet përjetë e mot, bashkë me të gjithë ata që dhanë edhe jetën për ditët që sot i jetojmë. Emri dhe vepra e presidentit historik janë frymëzim dhe sinonim i unitetit të veçantë e të jashtëzakonshëm, që reflektoi ai në jetë, në veprim e në punë për liri, pavarësi e sovranitet gjithëkombëtar…”. Po me këtë elan, po me këtë përkushtim, ua përmend meritat edhe prof. dr. Fehmi Aganit, Anton Çettës, Ali Hadrit, Zekiria Canës, Gazmend Zajmit, si dhe ka shkruar për dhjetëra femra-dëshmore të UÇK-së, duke radhitur më pas, personalitete të shquara ndërkombëtare, të cilat kanë dhënë kontribut për lirinë e Kosovës, siç janë: Presidenti Amerikan Bill Clinton, bashkë me Hillari Clinton, Medlin Olbrajt, Wsli Clark, Riçard Hollbruk, Gjorgj Robertson, Xhemi Shea, Barak Obama, Toni Bler, Zhak Shirak, Viliam Valker, Angela Merkel e shumë të tjerë, të cilët kompletojnë më mirë angazhimin e secilit prej tyre për pavarësinë e Kosovës.

“Bardhësitë”… pasqyrë e atdhedashurisë

Në libër ka shënime të tjera për personalitete me ndikim, qoftë në aspektin humanitar e liturgjik siç është Nënë Tereza, por autori nuk ka ngurruar t’i citojë dhe përmendë të gjithë shqiptarët, që kanë ndikuar në imazhin pozitiv për Kosovën, siç janë sportistë e artistë të ndryshëm, këngëtarë e krijues artesh. të cilëve u janë theksuar meritat për përhapje të imazhit pozitiv për Kosovën. Natyrisht, kjo dyndje kaq e madhe, nuk ka kaluar pa shumë vështirësi e sakrifica, por qëllimi i autorit duket i qartë, ai mbron idenë për të ndërtuar konceptin e librit, duke e prezantuar sa ma mirë kontributin e secilit, sepse për të ardhur Vendi Ynë deri këtu, është dashur angazhim i secilit, andaj autori ka bërë përpjekje që t’i ketë të gjithë brenda librit të tij. Një pjesë e madhe e kësaj enciklopedie u kushtohet dëshmorëve, heronjve, dhe luftëtarëve, prezantimet e tyre i nënshtrohen kriterit të alfabetit, për të cilët autori ka bërë edhe shënime biografike, të cilat janë shoqëruar edhe me fotografitë e protagonistëve. Me të njëjtën metodologji, autori ka vepruar edhe me dëshmorët dhe martirët e UÇPMB-së për Kosovën Lindore dhe të rënët në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Afrim Mustafa ka publikuar një listë me Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ka dhënë edhe një shpjegim se, lista nuk është përfundimtare, për të cilën ka shkruar se do të ndryshohet, do të shtohet dhe do të plotësohet nga botimi në botim. Në këtë kapitull, është publikuar edhe lista e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, si dhe për Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në trevën e Maqedonisë, si dhe një listë dhe fotografi, ku i ka prezantuar edhe 71 dëshmorë e luftëtarë nga Shqipëria, të cilët kanë qenë të angazhuar në luftërat e shqiptarëve për pavarësi, si dhe një listë e grave dhe vajzave shqiptare, të cilat, janë dëshmore të lirisë së Kosovës.  “Bardhësitë e Atdheut”, është libri më universal, më gjithëpërfshirës dhe më i kompletuar që është botuar deri më tani. Aty, janë prezantuar protagonistët kryesorë të luftës, secili në kohën e vet, dhe secili në betejën e caktuar. Siç duket, Autori, nuk ka bërë ndarje, aq më pak anatemime për të rënët për lirinë e atdheut. Të gjithë ata që janë flijuar dhe kanë kontribuar për luftën, kanë zënë vend brenda Enciklopedisë “Bardhësitë e Atdheut”, me autor, Afrim Mustafa. Brenda librit, Afrim Mustafa, ka botuar, reportazhe, portrete dhe raporte nga fronti i luftës, nga tubime e manifestime të shumta, nga përvjetorë të caktuar, si dhe shumë mendime – recensione për librin “Bardhësitë…”.

Enciklopedia e Afrim Mustafës – qasja dhe përpjekja më reale e një autori për ta prezantuar luftën pa anime politike dhe pa ndikime rajonale…

Bardhësitë e atdheut”,  përjetësim i heroit, ringjallje e kujtesës, faktit dhe dëshmisë së lavdisë…

Padyshim, Afrim Mustafa, ka punuar pareshtur, për ta kompletuar sa ma mirë veprën, e cila jo vetëm për kah volumi, por më shumë për kah përmbajtja mbetet libri më i kompletuar i kësaj natyre, i botuar deri më tani në Kosovë dhe më gjerë. Prandaj, mendojmë se, vetëm me një përkushtim të kësaj natyre mund të dëshmohet e vërteta, dhe autori ka kurorëzuar me sukses veprën e tij, e cila do të rrojë dhe do të dëshmojë edhe atëherë kur vet autori nuk do të jetë në mesin e të gjallëve … Përfshirja e portretit të Afrim Zhitisë, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës dhe të tjerëve, e bën lidhjen e një vazhdimësie të përpjekjeve për liri e pavarësi, që e kanë bërë breza të shumtë shqiptarësh, sikurse prezantimi i klerit mysliman dhe atij katolik e kompleton edhe më tej konceptin e Enciklopedisë, brenda së cilës krijohet përshtypja se është “Një Kosovë e Vogël”. Aty janë përfshirë, gazetarë, rapsodë, veprimtarë dhe mërgimtarë, si dhe qytetarë të tjerë, të cilët me angazhimin e tyre, me dijen e tyre kanë dhënë shumë për vendin, shoqërinë dhe njerëzimin, në mesin e të cilëve janë prezantuar: Afrim Maliqi, Haki Braha, intelektualë e shkrimtarë, si Fehmi Agani, Latif Berisha, Ymer Elshani, Bardhyl Çaushi, Bajram Kelmendi me fëmijët e tij etj. Kësaj enciklopedie ia shton vlerën edhe lista e dëshmorëve të Kosovës, të rënë mes viteve 1964-1992, të cilët autori i kategorizon. 1. Të vrarë me atentat, 2. Të vrarë në luftim, 3. Veprimtarë të mbytur në burg, 4. Të vrarë në demonstrata, e më pas, është publikuar edhe Lista e 114 dëshmorëve të rënë në Betejën e Kosharës, si dhe lista të tjera, statistika të shumta dhe fakte që tronditin secilin lexues, sidomos prekin ndjenjën e atyre që luftën e mbijetuan me sakrifica të shumta. Afrim Mustafa, me këtë vepër të përmasave enciklopedike, ka arritur të bëhet emër më i dashur, sepse t’i publikosh ngjarjet, të cilat i ka sistemuar në këtë Libër është një përjetësim i heroit, është një ringjallje e faktit dhe dëshmisë, por më shumë ringjallje e kujtesës për dëshmorin, a heroin që u flijua për lirinë. Kjo që theksuam, është një karakteristikë e rrallë, vlerë kjo që do të mbetet përgjithmonë, prandaj regjistrimi kaq i kujdesshëm për të rënët në Luftën e Kosovës, është një respekt i drejtpërdrejt për atë luftë, ku vet autori ishte pjesëmarrës, është nderim e respekt për heronjtë dhe dëshmorët, si dhe të rënët e tjerë, por më shumë është një respekt për lirinë, për të tashmen dhe për ardhmërinë e këtij vendi.

Autori, duke qenë reporter i drejtpërdrejtë i luftës së UÇK-së, dhe duke kryer gjatë asaj lufte punë me rëndësi të veçantë, substanca e prezantuar në libër është koncept i asaj kohe, kur nuk dihej kush fiton, e kush shpëton, por si koncept mjaft i kompletuar dhe si mënyrë tejet fisnike. Afrim Mustafa, është ndër personalitetet e pakta, i cili zhvillimet e luftës nuk i sheh të ndara, ai në enciklopedinë e tij i ka përfshirë të gjithë dhe të gjitha kategoritë, libri shënon hapin konkret profesional për t’i përfshirë të gjithë dëshmorët e të tri luftërave të UÇK-së, sepse ideali i tyre, ishte liria e atdheut dhe përparimi i vendit. Në këtë pikë, Afrim Mustafa e ka përmbushur misionin e tij të luftëtarit për t’ia sjellë Kosovës lirinë, kurse me misionin e gazetarit, sikur ka dhënë mesazh për t’u afruar edhe në fushat  e tjera të përbashkëta.

Përveç figurave të rëndësishme komanduese e udhëheqëse të luftës, Afrim Mustafa ka publikuar edhe një listë me ushtarët shqiptarë të vrarë në Armatën Jugosllave në mes të viteve 1981-1992. Në Enciklopedi, janë publikuar portrete me emrat e dëshmorëve, duke i formuar listat sipas rretheve e regjioneve dhe komunave të caktuara, por autori në enciklopedinë “Bardhësitë e Atdheut”, ka arritur t’i përfshijë, pothuajse të gjithë dëshmorët e rënë heroikisht në luftëra: UÇK në Kosovë, UÇPMB në Kosovën Lindore dhe UÇK në Maqedoni. Në këtë enciklopedi janë prezantuar dhjetëra-mijëra dokumente, dëshmi e fakte të rëndësishme për historiografinë kombëtare, duke filluar nga vitet 1900 e gjerë në vitin 2002. Me këtë vepër, autori ka treguar se, Lufta e Kosovës ishte vazhdimësi e përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për lirinë e vendit, për të cilën janë sakrifikuar breza të tërë shqiptarësh, prandaj janë përfshirë edhe figura të rëndësishme të viteve 1943-1945, pastaj të viteve: 1968, 1981, 1989 etj. Pra, nga Shaban Polluzha e Mulla Idriz Gjilani te Fazli Graiçevci, nga Jusuf e Bardhosh Gërvalla me Kadri Zekën te Afrim Zhitia, Fahri Fazliu e Ylfete Humolli etj. dhe kjo nuk mund të jetë vetëm rastësi?!

Por, siç e mban edhe titullin, enciklopedia i kushtohet luftës së UÇK-së, në qendër të trajtimit janë: Adem, Shaban e Hamzë Jashari, Zahir Pajaziti, Agim Ramadanin e Salih Çekaj, Ilaz Kodra , Fehmi e Xhevë LLadrovci, vëllezërit: Gursel e Bajram Sylejmani etj; por edhe dr. Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Anton Çetta, Latif Berisha, Bajram Kelmendi dhe personalitetet të tjera, të cilat bëhen pjesë e “Bardhësisë intelektuale!”.

Në enciklopedinë “Bardhësitë e Atdheut”, janë përfshirë edhe dëshmorë të veçantë, siç janë shqiptaro-amerikanët, përkatësisht, vëllezërit: Mehmet, Agron dhe Yll Bytyçi, si dhe disa dëshmorë nga shtetet e huaja: Algjeriani, Murad Muhamed Ali, francezi, Arnaud Pierre Paillard dhe italiani, Françesko Bider Biella. Libri enciklopedik “Bardhësitë e Atdheut”, me autor, Afrim Mustafa, përmbyllet me fotografitë dhe shënimet për 45 presidentët amerikanë, që nga Xhorxh Washington e deri te presidenti aktual, Donalt Trump.

Shikuar në përgjithësi, enciklopedia e Afrim Mustafës, është qasja dhe përpjekja më reale e një autori, për ta prezantuar luftën pa anime politike dhe pa ndikime rajonale. Kjo vepër e bën Afrim Mustafën gjurmues dhe hulumtues të zellshëm, kryesisht i pasionuar pas të vërtetës dhe realitetit që ka ndodhur në rrethana të caktuara. Ai, duke shfrytëzuar burime të shumta dhe të ndryshme e ka bërë faktin më të besueshëm, kurse qasjen e trajtimit, mjaft serioze.

Sigurisht, pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e autorit në luftë ka ndikuar edhe në konceptin e Enciklopedisë, e cila si e tillë është libër mjaft i kompletuar. Këto gjurmime dhe hulumtime i bëjnë secilit nder, sepse mbledhja dhe publikimi i gjithë këtyre të dhënave brenda një libri, jo vetëm për dëshmorët e rënë për liri, por u ka bërë një nder të veçantë familjeve dhe familjarëve të tyre, duke i dhënë dimension më universal veprës “Bardhësitë e Atdheut”… Andaj,  do të ishte mirë, sikur institucionet e Kosovës ta ndihmojnë autorin, në mënyrë që enciklopedia edhe në aspektin teknik, të ketë parametra të lartë dhe libri, gjithsesi, të botohet me ngjyra… Në këtë mënyrë, rritet vlera artistike e veprës në njërën anë, kurse në anën tjetër tregohet edhe përkushtimi i shoqërisë për dëshmorët, sepse autori (edhe kështu siç është ky libër), e ka kryer misionin e tij në raport me ATA, që na sollën lirinë!

Autori, i pasionuar pas të vërtetës dhe realitetit që ka ndodhur në rrethana të caktuara…

Brenda, “Bardhësisë së Atdheut”, janë prezantuar dëshmi e fotografi për masakrat e terrorit serb, në fshatrat Reçak, Abri, Stagovë, Izbicë, Rakoc, Lybeniq, Suharekë, Kotlinë, Llashticë, si dhe në Sllupçan të Kumanovë, në maj të vitit 2001. Gjithsesi, libri enciklopedik, “Bardhësitë e Atdheut” i Afrim Mustafës, shtjellon fakte të shumta, pasqyron ngjarje dhe luftën e UÇK-së, të cilat edhe nëse i kemi dëgjuar, memoria e shoqërisë nuk i ka arritur t’i mbajë të gjitha në mend, andaj duke shfletuar këtë libër, i rikujtojmë ngjarjet e mëdha, e duke rikujtuar nuk i harrojmë ato sakrifica dhe ato flijime për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës…

Libri, “Bardhësitë e Atdheut”, i Afrim Mustafës, mund të trajtohet edhe në dimensione të tjera, sigurisht këtë do ta bëjnë specializantë dhe kompetentë në fusha përkatëse. Por, Afrim Mustafa dhe shoqëria jonë  kanë sfida të madha para vetës, për të vazhduar mbledhjen dhe sistemimin, pse jo edhe publikimin e atyre të dhënave, që nuk janë prezantuar këtu dhe në botime të tjera të autorit, si dhe nëpër librat e kësaj natyre me autorë të  tjerë. Këtë obligim karshi autorit, e kanë të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët dinë dhe kanë fakte të reja, duhet t’ia afrojnë autorit për t’i radhitur e sistemuar.

Mendoj se, po me këtë përkushtim ndaj luftës dhe të rënëve, duhet të paraqiten edhe përpunues teknikë të fotografive, në mënyrë që fytyra e luftëtarit dhe e dëshmorit të duket pasqyrë e tashmes dhe e lirisë së Kosovës, tamam ashtu siç ishte e pastër lufta e UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Autori, Afrim Mustafa, e ka përmbushur misionin e tij prej luftëtari, i cili në lirinë e Kosovës, historiografisë shqiptare ia dhuroi një vepër me përmasa të një enciklopedie nacionale!…

 St. Gallen, 17 dhjetor, 2018

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, sot është…