Bardhyl Mahmuti: Alarmante përpjekja e rishkrimit të historisë së Kosovës në Hagë

24 shkurt 2022 | 13:44

Ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, aktualisht udhëheqës i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, Bardhyl Mahmuti, ka thënë se është alarmante përpjekja e rishkrimit të historisë së Kosovës në Hagë.

“Kambana rreh për atë që ka vesh të dëgjojë. Alarmin që japin avokatët, është alarm që është dhënë edhe më parë. Disa muaj para se të arrestoheshin ish-udhëheqësit e UÇK-së, një intelektual i njohur francez, i cili ka shkruar për shqiptarët që nga Ilirët e deri te pavarësia e Kosovës, thekson manipulimet e mëdha që i janë bërë BE-së nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse, për të miratuar një strukturë, e cila do të vë në bankë të akuzës luftën çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës”, ka thënë Mahmuti në emisionin “RTK Prime”.

Sipas tij, ajo që po ndodh sot në Hagë, nuk ka lidhje vetëm fatin e individëve, por janë bërë mbi 16 muaj që njerëzit, padrejtësisht mbahen larg familjeve të tyre, në kushte të këqija, se nuk ka burg të mirë.

“Mund të krijohet përshtypja se Haga është në Evropë dhe atje kushtet janë të mira. Ky është një proces tejet i rëndë, se nuk kemi të bëjmë me fatin intelektual, por është e vendosur në bankë të akuzës lufta jonë. Pra, qëllimi është politik edhe i gjithë kësaj strukture. Sepse, në thelb ishte pikërisht të dënohet lufta çlirimtare e Kosovës”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Mahmuti rikujtoi përpjekjet e shumta që pati ai bashkë me udhëheqësit e UÇK-së ta bindin botën se në UÇK-ja ka vlera demokratike për ta çliruar vendin.

“Me mund dhe angazhim të madh diplomatik, drejtoria politike e UÇK-së ka ndërmarrë me qindra aktivitete që ta bindim botën se kjo strukturë ka njerëz që kanë vlera demokratike, dhe të cilët po mundohen të çlirojnë vendin dhe t’i japin mundësi Kosovës të ndërtojë një shoqëri të hapur demokratike”, u shpreh Mahmuti.

Elementi tjetër, thotë ai, është se duhet që të jemi më vigjilentë rreth alarmit që bëjnë avokatët e Thaçit, Veselit, e intelektualëve të ndryshëm që ia donë të mirën Kosovës.

“Sot ta vendosësh lufta çlirimtare te Kosovës në bankën e akuzës dhe duke bërë përgjegjëse UÇK-në për krimet e sajuara në laboratorët e shërbimeve sekrete serbe, qëllimi është veçse politik. Qëllimi është që të ndëshkohet kjo luftë dhe pikërisht të rishkruhet historia e asaj çka ka ndodhë në Kosovë në dëm të popullit shqiptar të saj dhe në dëm të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Mahmuti.

Prandaj, ai thotë se shkrimi i historisë që po bëhet para syve tanë, duhet të na alarmojë të gjithëve.

“Në rend të parë institucionet shtetërore të Kosovës, që e kanë për obligim të sensibilizohen në maksimum, sepse për këtë punë nuk vlejnë inatet personale, por është çështje për interesat jetike të popullit të Kosovës. Është çështje jetike e pavarësisë së Kosovës. Duhet lënë anash divergjencat personale dhe të angazhohen dhe mobilizohen të gjithë si në rrafshin politik, intelektual, juridik e diplomatik që ta fitojmë edhe këtë betejë”, ka thënë Bardhyl Mahmuti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se…