Bardhyl Mahmuti kërkon konsensus politik për zhbërjen e Gjykatës Speciale

04 korrik 2026 | 08:33

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka bërë thirrje që Kuvendi i ri i Kosovës të zhbëjë Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke e cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm për të shmangur, sipas tij, padrejtësinë ndaj luftës çlirimtare të Kosovës.

Përmes një reagimi në ‘Facebook’, Mahmuti ka deklaruar se, ndërsa pritet formimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve, juristë me reputacion ndërkombëtar kanë ngritur alarmin për rrezikun që Dhomat e Specializuara të nxjerrin një vendim me motive politike kundër luftës së UÇK-së.

Ai u ka bërë thirrje partive politike që të lënë mënjanë dallimet dhe të arrijnë një konsensus për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke i cilësuar si të papranueshme vendimet që, sipas tij, bazohen në pretendime të ndikuara nga Shërbimi Sekret i Serbisë.

Reagimi i plotë i tij:

ZHBËRJA E GJYKATËS SPECIALE-KUSHT I DOMOSDOSHËM PËR TË SHMANGUR PADREJTËSINË!

Ndërkohë që jemi në pritje të krijimit të institucioneve që do të drejtojnë shtetin e Kosovës në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit, juristë me famë ndërkombëtare janë duke i rënë kambanave të alarmit për rrezikun real që Dhomat e Specializuara të sjellin vendim politik për të dënuar luftën çlirimtare të Kosovës.

Në këtë kontekst, të gjitha divergjencat ndërpartiake duhet të lihen anash dhe në mënyrë konsensuale të bashkohen rreth një qëllimi: Kuvendi i ri të zhbëjë Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe të shpallë të papranueshëm vendimet e ndikuara politikisht nga sajesat e Shërbimit Sekret të Serbisë.

Ky vendim politik i Kuvendit të Kosovës, si institucion që krijoi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, do të ishte vendimi më i drejtë për të ndërprerë padrejtësitë që janë gatuar nga qarqe politike dhe që janë duke marrë kohë për ta maskuar me petkun e institucioneve të drejtësisë.

Nëse do të arrihej një konsensus ndërpartiak rreth kësaj çështjeje, jam i sigurt se mbajtja peng e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do t’i kishte ditët e numëruara. Në të kundërtën, askush nuk mund të parashikojë se çfarë drejtimi mund të marrë revolta e qytetarëve.

Bardhyl Mahmuti

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndeshja e Kupës së Botës ndërmjet Anglisë dhe Meksikës do…