“Barra e paqes s’mund të jetë vetëm mbi Hamasin”, Erdogan: Nëse Izraeli do paqen, të ndalojë sulmet

08 tetor 2025 | 20:24

“Paqja nuk është një zog me një krah, barra e paqes s’mund të jetë vetëm mbi Hamasin”, kështu është shprehur presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Duke folur para ligjvënësve, Erdogan tha se bisedimet që po zhvillohen në Sharm el-Sheikh janë me rëndësi dhe shpresonte që të përfundonin me sukses.

“Hamasi iu përgjigj shumë pozitivisht planit të paqes. Kështu, ai demonstroi qartë vullnetin e tij për paqe. Vendosja e gjithë barrës së paqes mbi Hamasin dhe palestinezët nuk është e drejtë. Aktualisht, pengesa më e madhe përpara rrugës që çon drejt paqes janë sulmet e Izraelit. Nëse paqja dëshirohet vërtet, sulmet e Izraelit duhet të ndalen menjëherë”.

Ndërkohë, nga një postim i fundit i presidencës turke në platformën X, bëhet me dije se Donald Trump ka telefonuar liderin turk dhe i ka kërkuar ndihmë për të bindur Hamasin. Përfshirja e turqve në negociata është parë si një rol kyç për të garantuar bashkëpunimin e grupit.

Hamas nuk ka rënë dakord me disa pika të planit të paqes, të propozuar nga kreu i Shtëpisë së Bardhë, si edhe ka kërkuar garanci të vërteta sigurie për pranimin e një armëpushimi me Izraelin.

Plani me 20 pika përfshin një ndalje të luftimeve, lirimin e të gjitha pengjeve, largimin e Hamasit nga territori dhe zgjedhjen e një qeverie të përkohshme në udhëheqjen e vendit.

Bisedimet në Egjipt janë në ditën e tretë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Bujar Dugolli E kam theksuar edhe para disa ditësh…