
Basha dhe ambasadori hungarez pajtohen për vazhdimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Hungarisë
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka pritur në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Istvan Dux.
Kuvendi ka njoftuar se me të është diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe për marrëdhëniet midis dy vendeve.
“Kryetari Basha dhe ambasadori Dux zhvilluan bisedë përmbajtjesore për bashkëpunimin e mirë mes popujve dhe institucioneve të të dyja shteteve, me theks të veçantë në rritjen e ndërveprimit në nivel të komisioneve të përbashkëta”.
“Ambasadori Laszlo Istvan Dux i dorëzoi kryetarit Basha urimin e kryetarit të Kuvendit të Hungarisë, duke e ftuar njëkohësisht në takimin e kryetarëve të kuvendeve të Evropës Juglindore, që do të mbahet në nëntor të këtij viti”, ka njoftuar Kuvendi
Sipas këtij njoftimi, kryetari Basha ka falënderuar ambasadorin hungarez për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të tij në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe njëkohësisht ka shprehur mirënjohjen për shërbimin në funksion të paqes dhe sigurisë nga trupat hungareze në kuadër të KFOR-it.
Më tutje, kryetari i Kuvendit ka shprehur keqardhjen për lëndimet që ushtarët hunagarez morën në sulmin e vitit 2023, sulm ky që erdhi nga strukturat kriminale në veri.
Në takim është diskutuar gjithashtu për programin e bursave “Stipendium Hungaricum”, i cili ka hapur horizonte të reja në rrugëtimin profesional dhe akademik për studentët tanë dhe po ndërton ura miqësie përmes njohjes së kulturave dhe traditave të vendeve tona.
“Qëndrimi ynë i përbashkët është se Kosova dhe Hungaria do të vazhdojnë ta thellojnë partneritetin në shërbim të stabilitetit rajonal dhe të ardhmes sonë evropiane”, citohet të këtë thënë Basha.