
Basha: Kur të bëhem kryeministër do ta heq taksën në “Rrugën e Kombit”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka premtuar se nëse arrin të bëhet kryeministër i Shqipërisë do të heq taksën në “Rrugën e Kombit”.
Në një konferencë për medie me kryeministri Avdullah Hoti, ai ka thënë se vendosja e kësaj takse ka qenë veprim i padrejtë.
“Ato punë që i kemi nisur, ‘Rrugën e Kombit’ dhe liberalizimi ekonomik do të vazhdojnë edhe më tej. Një ndër vendimet e para si kryeministër në zgjedhjet e ardhshme do të jetë heqja e taksës dhe traut në ‘Rrugën e Kombit’, një vendim i padrejtë. Dua të çmoj lartë qëndrimet tuaja dhe fokusin tuaj në aspektin e bashkëpunimit ekonomik Kosovë – Shqipëri”, ka thënë Basha.
Ai ka lavdëruar pakon ekonomike që ka paraparë Qeveria Hoti për rimëkëmbjen ekonomike. “Ky është një moment i rëndësishëm dhe me shumë sfida, po ndjekim me shqetësim përparimin e pandemisë Covid. Gjykoj se me paketën ekonomike që ju keni, pa diskutim ju vendos në krye të vendeve të rajonit dhe përbën një shembull edhe për Shqipërinë, ku situata është kritike. Dua të ju përgëzoj për nisjen e dialogut dhe të ju shpreh përkrahjen time në këtë përqasje parimore që ka edhe mund të ketë vetëm një përfundim njohjen reciproke”, ka deklaruar Basha.