
Basha priti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, mirëpriti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı dhe zëvendësambasadoren Şeyda Çimeli Aydın.
Gjatë zhvillimit të takimit, Kryetari Basha e njoftoi Ambasadorin Angılı për zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, konkretisht për konstituimin e Kuvendit.
Kryetari Basha e theksoi angazhimin e tij për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha komunitetet në Kosovë, duke siguruar që të drejtat e tyre të respektohen dhe të mbrohen në përputhje me standardet më të larta që ofron legjislacioni ynë.
Ai gjithashtu theksoi se Kuvendi i Kosovës do të punojë për të adresuar të gjitha nevojat e komuniteteve përmes agjendës legjislative të këtij mandati.
Një nga temat kyçe të diskutimit ishte edhe pozita e mërgatës shqiptare në Turqi, e cila është vlerë e shtuar dhe faktor i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve ndërmjet dy shteteve. Mërgata shqiptare ka kontribuar në zhvillimin e marrëdhënieve kulturore dhe ekonomike, duke krijuar urë të fuqishme mes popujve tanë.
Kryetari Basha e falënderoi ambasadorin Angılı për mbështetjen e vazhdueshme dhe për bashkëpunimin e ngushtë, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, duke e konsideruar këtë si hap të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe për stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Në kuadër të këtij takimi, ambasadori turk, Sabri Tunç Angılı, i dorëzoi kryetarit Basha letrën e urimit nga kryetari i Parlamentit të Turqisë, Prof. Dr. Numan Kurtulmuş.
Në mesazhin e tij, kryetari Kurtulmuş shprehu “urimet për popullin vëllazëror të Kosovës për paqe dhe mirëqenie, duke i përcjellë gjithashtu urimet për sukses dhe shëndet për anëtarët e nderuar të Kuvendit të Kosovës”.
Në përfundim të takimit, kryetari Basha e falënderoi kryetarin e Parlamentit të Turqisë për urimin, si dhe u pajtuan me Ambasadori Angılı për nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë në nivel edhe më të lartë, si dhe për forcimin e marrëdhënieve mes dy parlamenteve, përmes krijimit të grupeve të miqësisë sa më shpejt.
Komisionet, grupet parlamentare dhe grupet e miqësisë do të luajnë rol të rëndësishëm në forcimin e këtyre marrëdhënieve, duke mundësuar një komunikim dhe bashkëpunim më të thellë mes dy vendeve.