
Basha, skandali më i madh që i ka ndodhur Republikës së Kosovës
Ish-pjesëtari i UÇK-së, publicisti Liri Loshi, në postimin e tij në “Facebook”, ka trajtuar punimin shkencor të Bashës, në bashkautorësi me Arsovsken, përmes së cilit UÇK-në e përshkruan si organizatë terroriste dhe që gjoja është financuar nga rrjetet e kontrabandës me drogë, gjë që absolutisht nuk ka të bëjë me të vërtetën.
“Pra, duke qenë autor i këtij artikulli, Basha ka kaluar në anën e armikut më të madh që ka pasur populli ynë dhe kjo nuk ka një emër tjetër pos tradhti kombëtare”, vlerëson Loshi.
Postimi i plotë i tij:
Harroni krejt postimet e mëparshme që i kam shkruar për Dimal Bashën! Kërkoj falje që nga informimi i gabuar kam nxjerrë konkluzione të gabuara. Tani që i kemi krejt informacionet e duhura ja çfarë mendoj për të.
1. Propozimi dhe pastaj miratimi që Dimal Basha të zgjedhet për kryetar kuvendi është skandali më i madh që i ka ndodh Republikës së Kosovës.
2. Albin Kurti duhet ta thërrasë në zyrën e tij dhe t’i bëjë presion serioz për të dhënë dorëheqje.
3. Nëse ai nuk dorëhiqet, OVL dhe të gjitha organizatat e dala nga lufta, duhet të organizojnë protesta dhe ta pengojnë edhe fizikisht për të hyrë në Parlament.
4. Nëse nuk arrijnë ta pengojnë për të hyrë në parlament, deputetët shqiptarë të të gjitha partive duhet të organizohen dhe të mos lejojnë udhëheqjen e asnjë seance nga ai.
5. Pas largimit nga posti i kryetarit të parlamentit, Dimal Basha duhet të tërhiqet nga pozita e deputetit dhe nga jeta politike e publike në Kosovë.
Pse?
1. Dimal Basha është autor i një punimi shkencor që UÇK-në e përshkruan si organizatë terroriste dhe që gjoja është financuar nga rrjetet e kontrabandës me drogë, gjë që absolutisht nuk ka të bëjë me të vërtetën. UÇK ka luftuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe është financuar nga populli, kryesisht nga diaspora kosovare. Pretendimi i artikullit ku koautor është Dimal Basha përkon me propagandën serbe për gjoja lidhjet e UÇK-së me rrjetet kriminale të drogës. Pra, duke qenë autor i këtij artikulli, Basha ka kaluar në anën e armikut më të madh që ka pasur populli ynë dhe kjo nuk ka një emër tjetër pos TRADHËTI kombëtare.
2. Dimal Basha na ka gënjyer se nuk ishte autor, por faktet që kemi sot thonë se artikulli i përfolur ka vetëm dy autorë dhe ata janë: Jana Araovska dhe Dimal Basha. Pra nuk janë tre, katër, pesë, gjashtë, apo shtatë e më shumë autorë ku ai do të mund ta relativizonte përgjegjësinë, por janë vetëm dy!
3. Justifikimi i tij se nuk e ka lexuar asnjëherë atë artikull ku vetë është autor nuk qëndron dhe për më tepër është qesharak. Pra, ai jo vetëm që është autor, por edhe e ka përdorur këtë artikull në procesin e gradimit të tij akademik. Heqja dorë e autorësisë implikon edhe heqjen e gradave shkencore, pra njësoj sikur kur hiqet një vegëz nga qorapa dhe ajo shthuret pastaj në tërësi!
4. Dimal Basha, në rastin më të keq është autor që me vetëdije i ka shkaktuar dëme vendit dhe popullit të tij që ushtrinë e tij çlirimtare e quan organizatë kriminale, madje me argumente shkencore! Në rastin më të mirë, është fajtor që ka bashkëpunuar me një autore antishqiptare që ka bërë edhe punime tjera kundër UÇK-së, si për shembull librin me titull Dekodimi i krimit të organizuar shqiptar. Në rastin e parë Dimal Basha ka bërë tradhti ndaj vendit të vet. Në rastin e dytë, pra nëse është bërë autor pa kontribuar në artikull, është një person pa pedigre profesionale dhe me vlera të dyshimta etike e morale.
5. Gabimi i tij si student (i moshës 33 vjeçare!) dhe që trashet me justifikimet e tij të pabaza tash në moshë “më të pjekur” kur ka arritur të bëhet kryetar Kuvendi, tregon për mungesë konsistente të gjykimit racional. Njerëzit me gjykim të keq nuk duhet të jenë në vendet udhëheqëse të asnjë organizate a kompanie e lere më në postet kryesore të shtetit.