Basha takohet me ambasadorin britanik, diskutojnë për procesin e konstituimit të Kuvendit

04 shtator 2025 | 15:44

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka pritur të enjten në takim  ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Kryetari Basha e ka falënderuar dhe i ka shprehur mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës ndaj Mbretërisë së Bashkuar për rolin e saj gjatë luftës, si dhe mbështetjen e vazhdueshme në fuqizimin e shtetit, ekonomisë dhe institucioneve demokratike të vendit tonë.

Gjatë bisedës, kryetari Basha e ka falënderuar diplomatin Hargreaves për vizitën si dhe e ka njoftuar për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë për procesin e seancës konstituive të Kuvendit.

Kryetari Basha dhe ambasadori Hargreaves kanë zhvilluar një diskutim të hapur për reformat demokratike të ndërmarra nga vendi ynë, ku kryeparlamentari e ka siguruar mbasadorin që Kosova mbetet e palëkundur në mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve të Republikës, si dhe qëndron e vendosur në avancimin e integrimit tonë në familjen evropiane, dhe synimin e qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO.

“Në anën tjetër, ambasadori Hargreaves fillimisht e uroi Kryetarin Basha për detyrën e tij të re në krye të institucionit bartës legjislativ të Republikës së Kosovës dhe rikonfirmoi gatishmërinë për bashkëpunim dhe intensifikim të raporteve të vendit të tij me Kuvendin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Takimi u zhvillua në frymë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ridëshmon lidhjet e thella dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar”, ka njoftuar Kuvendi i Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka reaguar ashpër…