
Basha thotë se s’ia përmendi Osmanit formimin e qeverisë: Stafi e lëshoi komunikatën pa miratimin tim, gabim teknik
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha e ka arsyetuar me “gabim teknik” korrigjimin e një komunikate për një takim me presidenten Vjosa Osmani sot.
Në komunikatë përmendej zgjedhja e qeverisë, ndërsa Basha ka thënë se kjo çështje s’ishte pjesë e diskutimit.
“Stafi ka bërë një gabim dhe e ka lëshuar një komunikatë pa miratimin tim. Aty nuk ka pasur diskutim tjetër përveç njoftimit që e kam bërë. Prandaj është gabim teknik që është bërë prej stafit tim”, ka thënë ai.
Basha ka thënë se stafi e lëshoi komunikatën “pa pajtueshmërinë” e tij.
“Unë i kam thënë stafit me e lëshuar një komunikatë ku ka me qenë një takim njoftues. Aty ka shkuar një komunikatë tjetër”.
“Unë kërkoj ndjesë, por ky është një lëshim teknik”, ka thënë Basha.
Ai ka thënë se “i vetmi diskutim që ka qenë brenda ka qenë njoftimi për presidenten për atë çka ka ndodhë dhe arsyetimi mbrapa vendimeve”.
“Ka dalë komunikata pa dalë unë prej takimit”, ka thënë Basha.