Basha: Turqia ka qëndruar pranë Kosovës që nga ditët më të vështira

30 tetor 2025 | 12:17

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka marrë pjesë mbrëmë në ceremoninë solemne të shënimit të 102-vjetorit të Republikës së Turqisë.

Në fjalën e tij, Basha ka theksuar se Turqia, që nga ditët më të vështira të luftës, gjatë periudhës së rindërtimit e deri te forcimi i kapaciteteve shtetërore, ka qëndruar gjithmonë pranë Kosovës me mbështetje institucionale, ekonomike dhe humanitare.

Ai ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve po ndërtohen mbi arritje konkrete, projekte zhvillimore dhe një partneritet të fuqishëm politik e institucional.

“Në këtë përvjetor të rëndësishëm, shpreha mirënjohje të veçantë për Gjeneralin Ulutash dhe 730 ushtarët e kontingjentit turk që shërbejnë në kuadër të KFOR-it, forca këto që vazhdojnë të jenë të pranishme për shkak të politikave hegjemoniste të shtetit serb, i cili nuk e pranon realitetin tonë dhe vazhdon të ketë pretendime territoriale mbi ne”, ka thënë Basha.

Tutje, ai ka theksuar se Kosova e vlerëson Turqinë si partner strategjik, me të cilin ndan vlera të përbashkëta për zhvillim, stabilitet rajonal dhe prosperitet për popujt tanë.

“Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve tanë, urojmë popullin turk për 102-vjetorin e Republikës së Turqisë, me dëshirën që miqësia dhe bashkëpunimi ynë i shkëlqyeshëm të forcohen edhe më shumë në shërbim të paqes, mirëqenies dhe të ardhmes sonë të përbashkët”, ka thënë Basha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dalë me një njoftim…