Bashkëpresidenti i ALDE, Kyuchyuk: Kosovës i duhet lidership i fortë dhe europian si Bedri Hamza
Bashkëpresidenti i ALDE-s dhe eurodeputeti Ilhan Kyuchyuk ka shprehur mbështetje të qartë për Partia Demokratike e Kosovës dhe kandidatin e saj për Kryeministër, Bedri Hamza, duke theksuar se Kosovës i duhet një lidership i fortë, i përgjegjshëm dhe thellësisht i orientuar drejt vlerave europiane.
Në një deklaratë publike me video, Kyuchyuk u shpreh se ka bashkëpunuar nga afër me lidershipin e PDK-së dhe se e njeh përkushtimin e tyre ndaj vlerave europiane, forcimit të institucioneve demokratike dhe përgjegjësisë ekonomike. Sipas tij, këto janë parakushte thelbësore për përparimin e Kosovës dhe afrimin e saj me Bashkimin Europian.
“Bedri Hamza përfaqëson seriozitet, përvojë dhe llojin e lidershipit që i duhet Kosovës për të ecur përpara në rrugën e saj europiane,” deklaroi Kyuchyuk, duke shtuar se pret me interes bashkëpunimin e ardhshëm në kuadër të familjes politike europiane.
Në fund, bashkëpresidenti i Alliance of Liberals and Democrats for Europe i uroi suksese PDK-së dhe Bedri Hamzës në zgjedhjet e ardhshme, duke rikonfirmuar mbështetjen e liberalëve europianë për një Kosovë të zhvilluar, demokratike dhe të integruar në Europë.



