
Bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe EULEX-it do të vazhdojë
Shefi i misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka deklaruar të enjten se bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe EULEX-it do të vazhdojë në forcimin e demokracisë dhe fuqizimit të rendit dhe ligjit.
Ai këto komente i ka bërë në ceremoninë e ndarjes së medaljeve për shërbim në PPSM (CSDP) për Njësinë rezervë të policisë së specializuar të EULEX-it, e cila ka zbarkuar përkohësisht në Kosovë në muajin mars 2022.
Në ceremoninë e ndarjes së medaljeve ishte edhe kryeministri Albin Kurti. Ai ka vlerësuar partneritetin me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës në fushën e sigurisë, derisa ka theksuar se janë të vendosur në ngritjen profesionale të Policisë së Kosovës, luftimit të krimit, korrupsionit dhe sundimit të ligjit.
Njësia rezervë e policisë së specializuar të EULEX-it përbëhet prej 70 pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë nga Portugalia dhe Franca. Ajo ka zbarkuar në Kosovë duke iu përgjigjur nevojës së EULEX-it për të pasur forca shtesë në terren, në mënyrë që ky mision të jetë në gjendje t’i mbështesë më mirë homologët e tij kosovarë nëse kjo kërkohet duke marrë parasysh mjedisin e sigurisë në Kosovë dhe sigurinë në rajon.