
Bashkëshortja e Arbnor Spahiut, ish-policit të arrestuar në Serbi i drejtohet Kurtit: Të shmanget ndikimi politik në rast
Arieta Spahiu, bashkëshortja e ish-zyrtarit të Njësisë Speciale Operative, Arbnor Spahiu, i cili është ndaluar nga autoritetet serbe dhe po akuzohet për përfshirje në rastin “Banjskë”, ka bërë thirrje që rasti të mos politizohet.
Në një intervistë për Tëvë1, ajo tha se kanë zhvilluar një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të cilit i kërkuan që të gjitha institucionet të respektojnë parimet e shtetit të së drejtës dhe të shmangin ndërhyrjet politike në procesin gjyqësor.
“Po, takimi me Kryeministrin Kurti ishte i rëndësishëm dhe i nevojshëm, sidomos në këtë periudhë të ndjeshme. Diskutuam për zhvillimet e fundit politike dhe për nevojën që të gjitha institucionet të veprojnë në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës. Theksova rëndësinë e transparencës dhe të shmangies së çdo ndikimi politik në proceset gjyqësore, përfshirë edhe rastin e bashkëshortit tim”, tha bashkëshortja e Arbnor Spahiut.
Arieta tregoi se gjendja emocionale e bashkëshortit të saj është e rënduar, ndërsa fizikisht ai është në gjendje stabile. Sipas saj, familja është e shqetësuar për mënyrën se si po zhvillohet procesi në Serbi, duke e konsideruar të padrejtë mbajtjen e tij në paraburgim pa prova bindëse. Ajo theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë dhe paanshëm, ku ligji të zbatohet njësoj për të gjithë, pa motivime politike.
E pyetur për mundësinë e dëshmitarëve shqiptarë kundër Spahiut, ajo tha se çdo informacion i tillë duhet trajtuar me kujdes dhe profesionalizëm, për të shmangur ndërtimin e narrativave që mund të cenojnë drejtësinë.
Ndërkohë, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se janë dorëzuar dokumente tek autoritetet serbe, duke dëshmuar se Arbnor Spahiu nuk ka qenë pjesë e operacionit në Banjskë më 24 shtator 2023 dhe se ai nuk është pjesë e Policisë së Kosovës që nga viti 2022.