Bashkëshortja e Xhevdet Pozharit në mesin e 6 kandidatëve të rekomanduar për votim në Kuvend për dy gjyqtarë në Kushtetuese
Ka përfunduar procesi i intervistimit të kandidatëve në Kuvend për dy pozita të gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese. Pas përmbylljes së këtij procesi, Komisioni i posaçëm ka rekomanduar gjashtë kandidatë për t’iu nënshtruar votimit në Kuvend, raportoi “Betimi për Drejtësi”. Mes kandidatëve, rezulton edhe gruaja e analistit të Vetëvendosjes, Xhevdet Pozhari.
Pas vlerësimit dhe poentimit të kandidatëve, Komisioni vendosi që Kuvendit t’ia përcjellë listën me gjashtë emrat që u vlerësuan si më “të suksesshmit” në këtë fazë të procedurës.
Komisioni i posaçëm përbëhej nga Vigan Qorrolli, kryetar i Komisionit, Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, Arian Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sllavko Simiq nga Lista Serbe, Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Artan Asllani nga Grupi Parlamentar Multietnik. Ky komision kishte konstatuar më herët se 25 kandidatë i plotësonin kushtet formale për kandidim.
Në total, për këto dy pozita kishin aplikuar 25 kandidatë: Vigan Rogova, Zahir Qerkini, Besart Belegu, Makfirete Krasniqi, Selman Ymeri, Avdylkader Muçaj, Elton Tota, Benina Kusari, Ramadan Gashi, Rafet Haxhaj, Shabi Idrizi, Shpresa Emra, Valbona Shala-Thaçi, Suzana Gashi, Ardita Haxhnikaj-Demi, Novitet Nezaj, Alban Muriqi, Emine Abdyli-Pozhari, Nazmije Krasniqi-Jusufi, Përparim Kalo, Riza Krasniqi, Flamur Mrasori, Jorida Xhafaj, Islam Sllamniku dhe Bahrie Zaçaj.
Intervistimi i kandidatëve u mbajt më 7 dhe 8 prill. Në këtë fazë u paraqitën 22 kandidatë, pasi nga gara u tërhoqën Rafet Haxhaj, Nazmije Krasniqi-Jusufi dhe Riza Krasniqi. Në përfundim të procesit, Komisioni rekomandoi gjashtë kandidatë për votim në Kuvend.




