Bashkëveprimtari i PPK-së e lartëson kandidatin për kryetar të Podujevës: Isak Shabani ka qenë njeriu më i afërt i Zahir Pajazitit

26 shtator 2025 | 01:04

Sali Rexhaj, ish-anëtar i Partisë Parlamentare të Kosovës, ka lartësyer figurën e Isak Shabanit, kandidatit për kryetar të Podujevës. Rexhaj bëri të ditur se Isak Shabani është mik dhe bashkëpunëtor i tij që nga vitet e 1990-ta, duke rikujtuar pjesë nga historia e luftës dhe periudha pas çlirimit.

Në një postim në rrjetet sociale, Rexhaj rrëfeu për njohjen e gjatë dhe përkushtimin e Shabanit ndaj kauzës kundër pushtetit serb, si dhe për vuajtjet që ai përjetoi në burgjet serbe.
Postimi i tij:

Tani sa e pashë se kandidat për kryetar të Podujevës qenka Isak Shabani, miku im nga Partia Parlamentare e Kosovës në vitet ’90.

Më kujtohes shumë mirë pasi që kishte probleme me policinë serbe, ishte larguar, nëse nuk gaboj, për në Suedi.

Pas disa kohësh erdhi me Zahir Pajazitin në zyrën qendrore të PPK-së në Prishtinë. I befasuar që po e shihja, e pyeta?

Pse je kthyer, ti e din që je në rrezik.
Më tha shkurt: U ktheva se dua të luftoj kundër Serbisë.

Më vonë u arrestua e u dënua dhe i përjetoi e mbijetoi kazamatët e Serbisë; pas çlirimit dha kontribut në ndërtimin e institucioneve për shumë kohë, kudo që pati rast e mundësi.

Rexhaj shtoi se ka dhjetëra e qindra njerëz që prezantohen si shokë, bashkëpunëtorë e bashkëluftëtarë të Zahir Pajazitit, por sipas tij, Isak Shabani ishte më i afërmi dhe askush tjetër nuk qëndron përpara tij në këtë rreshtim.

Në përfundim të postimit, Rexhaj i bëri thirrje elektoratit të Podujevës që e respekton dhe e do kujtimin e Zahir Pajazitit,  dhe të gjithë ata që përkulen pranë varrit të tij,  që të votojnë për Isak Shabanin, pavarësisht përkatësisë partiake.

“I ftoj të gjithë ata qytetarë të Podujevës të cilët e duan e respektojnë Zahir Pajazitin, të gjithë ata që përkulen te varri i Zahirit, që ta votojnë Isak Shabanin, pa marrë parasysh se cilës parti i takojnë” ka shkruar në fund Rexhaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka…