Bashkimi i faktorit politik, i domosdoshëm

02 maj 2019 | 11:29

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rexhep Hoti, ka thënë se skena politike në Kosovë tash e një kohë të gjatë është një përzierje e motit të paparashikuar.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka folur për zgjedhjet në PDK, për koalicionin qeverisës dhe për Programin Nacional për Rininë, ku mban postin e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport. Hoti ka theksuar se PDK-së i duhet një zgjim i madh.

Ndërsa sa i përket taksës ndaj Serbisë, ai ka thënë se taksa nuk duhet të hiqet. Hoti ka pohuar se unifikimi i faktorit politik në përpjesëtim me fuqinë elektorale është i domosdoshëm.

Duke folur për Programin Nacional për Rininë, ai ka theksuar se ky program ka mbështetjen e fuqishme të të gjitha subjekteve politike, të pozitës, opozitës dhe të të gjitha komuniteteve

“Epoka e re”: Z. Hoti, si Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport keni nënshkruar disa marrëveshje me komuna rreth zbatimit të programit nacional për rininë. Cila është rëndësia e këtyre marrëveshjeve dhe programit në tërësi?
Hoti: Programi Nacional për Rininë është programi i vetëm kompleks në Republikën e Kosovës që ka mbështetje të fuqishme të të gjithë subjekteve politike të vendit qofshin ato opozitare apo në pushtet si dhe të të gjitha komuniteteve. Një konstatim i tillë peshon edhe më shumë nga e dhëna se programi në fjalë është bërë tashmë pjesë e çdo kryetari të çdo komune në Republikën e Kosovës, çka do të thotë se një vendim i qeverisë qendrore është thelluar në bashkëpunim përtej përgjegjësive dhe obligimeve elementare. Vendi ynë me këtë hap ka plotësuar edhe një zbrazëti kushtetuese dhe ligjore për të gjithë nxënësit pa përjashtim dhe pa dallime, të rreth 340 mijë sosh, të cilët kanë hapësirë për ta shfrytëzuar mundësinë e aktiviteteve të tyre kurrikulare e jashtë kurrikulare në tri shtyllat boshtore të Programit: në Dituri, në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik dhe në Sport.

“Epoka e re”: Deri ku ka arritur zbatimi i programit nacional për rininë në nivel komunal, pasi janë mbajtur disa gara të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik në nivelin komunal?
Hoti: Më lejoni t’ju themi se nuk janë mbajtur disa gara, por janë mbajtur garat në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në të gjitha komunat e vendit në nivelin shkollor si dhe në nivelin komunal, me përjashtim të dy-tri komunave të cilat ende janë në proces të garave komunale për KKMK. Sipas të dhënave që i ka pranuar deri më tash Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport nga të gjitha shkollat e vendit, por që ende nuk janë të gjitha të përpunuara e të përfunduara, janë 14 902 vende të para të garave të nivelit shkollor të Kreativitetit Kulturor e të Mendimit Kritik në gjithë vendin. Kjo do të thotë se deri më tash kanë marrë pjesë në gara të nivelit komunal rreth 15 000 fitues nga klasa e parë deri në klasën e 12-të. Është një mobilizim i jashtëzakonshëm i Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA), i shkollave, i nxënësve, i prindërve. Për herë të parë kam parë nga afër shtëpi të kulturës të përmbushura përplot me nxënës, shkolla me nga tri-katër ndërrime e hapësira për mbajtjen e garave. Kam parë DKA që është përgatitur për një muaj rresht për garat komunale. Kam parë rreshta të gjatë të nxënësve duke pritur për të hyrë në garë me dhjetëra e dhjetëra metra të gjata për ta performuar krijimin e vet. Pa teprim, mund të them se kjo është një mrekulli e vogël që po lind prej të gjithë aktorëve dhe prej vetë shpërthimit kreativ të nxënësve.

“Epoka e re”: Çfarë mbështetje keni nga Qeveria e Kosovës në këtë drejtim?
Hoti: Qeveria e Kosovës e ka ofruar mbështetjen e plotë, sado që aspekti financiar i Programit Nacional për Rininë ende nuk e ka marrë mbështetjen për ta pasur arritshmërinë e vet, nëpërmjet së cilës do të mund të ishte funksionale në tërësinë e vet. Veçmas pjesa e aktivizimit të shtyllës së sportit kërkon një angazhim shumë më të madh, sepse do të ketë nevojë për investime nëpër shkolla. Madje do të shikohet edhe infrastruktura e munguar sportive për shkollat të cilat kanë nevojë ta kenë të kompletuar infrastrukturën dhe hapësirën sportive, nga mjetet e zakonshme sportive e deri te fushat dhe hapësirat e tjera të nevojshme. Por, si fillim jemi të kënaqur me mbështetjen e qeverisë dhe të kryeministrit veçmas, ashtu sikurse me kryetarët e komunave, me DKA-të, me drejtorët e arsimit të shkollave, me stafin e mësimdhënësve, me MAShT-in, SBAShK-un e kështu me radhë.

“Epoka e re”: Si Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport keni vizituar Shqipërinë, Luginën e Preshevës dhe Ulqinin. Sa ka rëndësi bashkërendimi i agjendës në këtë program me këto vende dhe cila ka qenë përkrahja që keni marrë?
Hoti: Bashkëpunimi i jashtëm i KNKRS-së është strategji në vete programore. Në këtë drejtim Programi Nacional për Rininë ka tri opsione të bashkëpunimit: bilateral, multilateral dhe mbarëkombëtar. Kemi hartuar edhe Programin Ndërshtetëror për tri vendet fqinje: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Madje ua kemi kryer si draft edhe aspektin buxhetor për të gjithë nxënësit dhe studentët e këtyre shteteve. Me kryeministrin e Shqipërisë, Ministrinë e Arsimit e struktura të ministrisë së saj veçse e kemi shpalosur programin në pika të shkurtra. Është e kuptueshme se sistemi ynë konceptual i programit duhet ta ketë kohën e vet për ta arritur fuqinë e bashkëpunimit konkret. Kjo do të thotë se shumëçka do të varet prej vetë nesh e më pas do të kemi mundësi ta importojmë implementimin e filozofisë së konceptit dhe shtrirjen e saj në arsim edhe në vendet me të cilat kufizohemi. Kjo vlen për të tria rastet e bashkëpunimit ndërshtetëror, qoftë të atij bilateral, multilateral apo mbarëkombëtar.

“Epoka e re”: Programi Nacional për Rininë, çfarë mbështetje ofron për diasporën, sepse e dimë se ministritë tona të Kulturës dhe Diasporës në Kosovë dhe në Shqipëri nuk kanë bërë edhe aq sa duhet për diasporën shqiptare, rininë në përgjithësi?
Hoti: Brenda programit është e integruar edhe diaspora shqiptare. Pavarësisht se ajo do ta ketë një mundësi më të lehtë të garimit, sepse në shtetet e jashtme mërgata do t’i përzgjedhë nxënësit. Ndërsa te ne vlen sistemi i gjithëpërfshirjes. Mirëpo më e rëndësishme sesa një favorizim rrethanor, të themi kushtimisht, është pjesëmarrja e diasporës në garat nacionale ndërshtetërore.
Me kohë edhe në diasporë do të kemi mundësi ta avancojmë sistemin e gjithëpërfshirjes për çka varet shumë nga qasja gjenerale e politikave nacionale për gjysmën e kombit që e kemi jashtë atdheut.

“Epoka e re”: Z. Hoti, jeni edhe nënkryetar i PDK-së. Çfarë vlerësimi keni për punën e kësaj qeverie? A janë plotësuar pritjet e PDK-së për këtë periudhë të qeverisjes në bazë të marrëveshjes që keni me partnerët e tjerë të koalicionit?
Hoti: Për shkak të pragmatizmit politik të imponuar nga klima dhe niveli i zhvillimit tonë të gjithanshëm do të ishte më mirë të mos e shfaq fare mendimin në këtë pyetje. Nuk do ta vlerësoja aq me peshën atë që do ta thosha përballë asaj sa do të mund ta dëmtoj me një përgjigje të tillë.

“Epoka e re”: A mendoni se PDK-ja karshi disa temave do të duhej të ishte më e zëshme brenda koalicionit qeverisës? Kemi parë punësime të shumta partiake, sidomos në Telekom, për çka ka pasur edhe kritika nga opozita, pastaj taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe kërkesa e ShBA-së për pezullimin e saj…
Hoti: Është e vërtetë se punësimet partiake, ku më shumë e ku më pak, janë pjesë e establishmentit politik të vendit. Mendoj se është krijuar një praktikë shume e keqe e punësimeve të tilla. Por, parë me realizëm, mendoj se kjo është kultura dhe niveli ynë në politikë përballë pushtetit. Ndërsa sa i përket taksës, ajo nuk duhet të hiqet. E para, mendoj se duhet të merremi më shumë me argumentimin se një Kosovë e fuqishme në vendimmarrje shtetërore, duke e respektuar Kushtetutën, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, është një garanci e fuqishme për stabilitetin e saj përballë Serbisë dhe faktorit të jashtëm. E dyta, unifikimi i faktorit politik në përpjestim me fuqinë elektorale që ato kanë është i domosdoshëm. E treta, lidhja e Kosovës me ShBA-në nuk është lidhje e rëndomtë e as garë se kush mund ta ketë më mirë me amerikanët a kush i do më shumë ata. Kjo politikë e paditur, thënë me figurë, duhet të marrë fund. E katërta, ‘mbidoza e autoriteteve’ të disa ambasadorëve të shteteve partnere në vendin tonë është duke e dëmtuar klasën politike edhe ashtu të brishtë. Ndoshta konfidencialiteti i këshillës diplomatike duhet të rritet më shumë e politika e tyre e fejsbukizmit duhet të zvogëlohet dukshëm. Disa janë skandalizuar me prezantimin e tyre të shpeshtë. Duket sikur të tillët shkruajnë në “Facebook” sa për t’u bërë lajme portaleve. Si rrjedhojë, duket sikur edhe e kanë humbur peshën reale që ata duhet të kishin dhe e kanë.

“Epoka e re”: Çfarë mund të na thoni për PDK-në, zgjedhjet e saj të brendshme dhe nominimin e Kadri Veselit për kryeministër nga disa zyrtarë të PDK-së?
Hoti: PDK-së mendoj se i duhet një zgjim i madh. Më bëri përshtypje qëndrimi i nënkryetarit Kuçi kur e dëgjova që shprehu mendimin se nuk janë në PDK ata që flasin tash e një kohë në emër të saj. Do të pajtohesha me të. Do të doja që Kadri Veselin ta propozojë për kandidat për kryetar të partisë PDK-ja rrjedhimisht, më pas edhe për kryeministër, e jo të jetë i propozuar nga ata që marrin vetëm prej PDK-së tituj, kapitale, poste, shkolla e gjithçka tjetër e janë pak a hiç PDK. Vetë ngutja për ta shpallur Kadri Veselin kandidat për kryeministër ende pa u zgjedhur kryetar i partisë është një naivitet që tregon për nivelin kontrollues të demokracisë brenda partisë. Dmth., në mënyrë naive të tillët kanë treguar se nuk e zgjedh procesi zgjedhor Kadri Veselin për kryetar, por ai është ‘apriori i tillë’. Kjo ngutje servile i bën dëm edhe Kadri Veselit, në të vërtetë, ai është duke u dëmtuar tash e një kohë të gjatë prej poltronëve të këtillë por, në të njëjtën kohë, e dëmton rëndë edhe partinë, demokracinë e brendshme të saj e bën groteske. Sidoqoftë, pres një zgjim të madh. Mendoj, ende ka kohë. Pastaj PDK-ja ka një mandat kushtetues për të qeverisur dhe ajo duhet të sillet me standardin e një partie serioze, institucionale dhe demokratike, ashtu siç i ka themelet dhe përkufizimet e veta teorike e praktike.

“Epoka e re”: Opozita thotë se zgjedhjet më së largu do të mbahen në vjeshtë. A mendoni ju se mund të ketë arsye për zgjedhje të reja në vjeshtë?
Hoti: Skena politike në Kosovë tash e një kohë të gjatë është një përzierje e motit të paparashikuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministrja britanike Thersa May ka shkarkuar sekretarin e mbrojtjes Gavin…