Basketboll, dalin në shitje biletat për finalen e Kupës
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), ka njoftuar të martën biletat për ndeshjen finale të Kupës së Kosovës, tashmë kanë dalë në shitje.
Biletat për këtë ndeshje finale, do të shiten në Mitrovicë dhe Prizren pasi Trepça dhe Bashkimi do të luftojnë për trofeun e kësaj gare.
Ndeshja finale do të luhet në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, ku organizatori i finales së Kupës, KB Rahoveci 029 ka ndarë nga 1000 bileta për skuadrat finaliste.
Në njoftimin e FBK-së, thuhet se biletat në Mitrovicë do të shiten në “Fan Shop” të Trepçës, ndërsa në Prizren, mund të blihen në “Fan Shop” të Bashkimit.
Çmimi i biletës për ndeshjen finale të Kupës së Kosovës është 5 euro, ndërsa dueli Trepça – Bashkimi luhet të mërkurën prej orës 19:30.
Këto dy skuadra u patën përballur edhe në finalen e sezonit të shkuar, të cilën e pati fituar Trepça.



