
Basketbollistët: Liga Unike, e mirëseardhur për talentët
Të enjten u nënshkrua zyrtarisht formimi i Ligës Unike mes Kosovës dhe Shqipërisë. Marrëveshjen e nënshkruan presidenti i FShB-së, Avni Ponari dhe kryetari i FBK-së, Arben Fetahu. Liga do të ketë tetë skuadra, katër më të mirat nga Kosova dhe katër më të mirat nga Shqipëria. Ideja e formimit të kësaj lige ishte mirëpritur në Kosovë nga analistët, klubet dhe basketbollistët.
Basketbollisti i Pejës, Dardan Berisha, ka thënë se liga e përbashkët në mes dy shteteve shqiptare përkrahet nga të gjithë. “Sigurisht se e përkrahim Ligën ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo është një ëndërr e realizuar për shumë shqiptarë. Besoj se kjo Ligë do të ishte shumë interesante dhe me interes për publikun mbarëshqiptar. Do të kishte rivalitet dhe do të ishte një risi e mirëseardhur për të gjithë ne”, kishte thënë Berisha.
Edhe kapiteni i Prishtinës, Edmond Azemi, që është basketbollisti me përvojën më të madhe në basketbollin e Kosovës, e ka përkrahur ligën e përbashkët, pasi kjo ka qenë një ëndërr e të gjithë shqiptarëve. “Ideja e Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për formimin e kësaj lige është shumë e qëlluar. Të gjithë kemi pasur ëndërr për formimin e një Lige Mbarëkombëtare. Duke marrë parasysh që vështirë se edicionin e ardhshëm mund të luajmë në Evropë, kjo Ligë do të na shërbejë shumë. Gjithashtu, është shumë pozitive që ka marrë lejen nga FIBA Evropa”, ka deklaruar Azemi.
Një tjetër basketbollit me përvojë në Kosovë dhe ndër më të mirët, Drilon Hajrizi, ka vlerësuar se kjo ligë duhet të shfrytëzohet që t’u jepet sa më shumë hapësirë lojtarëve të rinj. “Ideja për formimin e Ligës së përbashkët Kosovë – Shqipëri është shumë e mirë. Megjithatë, kjo ligë duhet të shfrytëzohet për t’u dhënë hapësirë lojtarëve të rinj dhe të mos jetë një ligë ku skuadrat do të synonin me çdo kusht titullin e kampionit. Basketbollistët e rinj kanë nevojë për sa më shumë ndeshje ndërkombëtare në mënyrë që të fitojnë përvojë. Kjo mund t’u ndihmojë atyre në të ardhmen. Sa më shumë ndeshje ndërkombëtare aq më shumë përvojë do të fitojnë. Nëse u japim hapësirë lojtarëve të rinj, atëherë kjo ligë është shumë e mirëseardhur. Por, nëse garohet vetëm për titullin e kampionit, atëherë mund të kemi shumë shpenzime dhe pak përfitime”, ka thënë Hajrizi.
Ndërsa Samir Zekiqi beson se klubet do ta shfrytëzojnë në maksimumin formimin e kësaj lige dhe të nxjerrin sa më shumë talentë. “Është ide shumë e mirëseardhur. Është shumë mirë që kemi më shumë ndeshje. Shpresoj se në këtë ligë do të ketë hapësirë për lojtarët e rinj e të talentuar. Ata duhet të përkrahen maksimalisht dhe të kenë sa më shumë hapësirë. Klubet të punojnë për nxjerrjen e talenteve dhe të përfitojnë lojtari, klubi, por edhe kombëtarja”, është shprehur Zekiqi.
Sipas basketbollistit Valon Bunjaku, kjo ligë do të jetë në favor të basketbollistëve, pasi do ta kenë rastin të luajnë basketbollistët e rinj. Ai ka thënë se kjo do të jetë e mirëseardhur edhe për shikuesit ku mund të arkëtohen. “Liga Unike mendoj se do të jetë një risi për ne basketbollistët, po ashtu edhe për shikuesit. Gjithashtu, do të jetë në favor të basketbollistëve sepse do të ketë shumë lojëra. Qëllimi kryesor i kësaj lige do të jetë përkrahja e basketbollistëve të rinj. Skuadrat duhet t’u japin më shumë hapësirë të rinjve, që do të ishte një motivim i madh për ta sepse në vendin tonë ka shumë talentë të rinj që meritojnë përkrahje, e kjo do të kishte ndikim shumë të madh në fushën e basketbollit. Jam shumë i lumtur që erdhi një bashkëpunim i tillë dhe mendoj se do të jetë një përvojë prej më të mirave”, ka pohuar Bunjaku.
Ndërsa basketbollisti Bardh Rexha ka deklaruar: “Sa i përket Ligës së përbashkët, është gjëja më e mirë për basketbollistët vendorë. Edicioni i fundit ishte mjaft i suksesshëm për mua personalisht sepse jam paraqitur në të gjitha ndeshjet dhe jam afirmuar më shumë për të ardhmen. Falënderoj trajnerët dhe klubin e Rahovecit. Ideja është e qëlluar për një garë të përbashkët. Besojmë se do të luajmë pa presion në të gjitha skuadrat dhe t’u jepet më shumë përparësi lojtarëve të rinj, duke i futur në çdo ndeshje dhe duke pasur minutat e nevojshëm”.
(V.Z / Epoka e re)