
Bastisje në Dubravë, sekuestrohen 98 gram drogë dhe pesë telefona
Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka njoftuar se ka ndërmarrë një aksion të suksesshëm parandalues kundër një tentative për futje të kontrabandës në zonën sterile të Qendrës Korrektuese në Dubravë.
Siç ka bërë me dije ShKK-ja në “Facebook”, pas pranimit të informacioneve proaktive dhe organizimit operativ në bashkëpunim me Njësinë e Inteligjencës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, në koordinim dhe nën organizimin e Departamentit për Siguri të Qendrës Korrektuese të Dubravës, është realizuar një bastisje e menjëhershme.
Gjatë kontrollit janë zbuluar pesë qese të zeza, të mbështjella dhe të izoluara me izolir të tejdukshëm.
Qeset janë lokalizuar dhe brenda tyre janë gjetur:
Lëndë e dyshuar narkotike e ndarë në disa njësi, me peshë të përgjithshme prej 98 gramësh (me mbështjellës);
Pesë telefona të markës “Samsung”, prej të cilëve njëri kishte “SIM kartelë” të vendosur, si dhe dy “SIM kartela” të papërdorura.
“Ky operacion, rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Njësisë së Inteligjencës, Departamentit të Sigurisë së QK Dubravë dhe zyrtarëve përgjegjës të sigurisë, dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës për të parandaluar çdo përpjekje për futjen e kontrabandës dhe për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të kontrolluar brenda institucioneve korrektuese. Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë me vendosmëri zbatimin e masave të rrepta të kontrollit, me qëllim parandalimin e çdo tentative për futje të paligjshme të materialeve të ndaluara brenda institucioneve korrektuese”, ka njoftuar ShKK-ja.