Bastisje në Vushtrri: Dyshohet për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm
Policia e Kosovës, të mërkurën në mbrëmje, ka zhvilluar një aksion policor në qytetin e Vushtrrisë, ku është zbuluar një lokal në të cilin dyshohet se zhvillohej veprimtari e kundërligjshme, përkatësisht organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, në bashkëpunim me Njësinë për Reagim të Shpejtë (NJRSh), kanë realizuar bastisjen në rrugën “Blerim Zuqaku”.
Gjatë kontrollit në lokal janë gjetur dhe sekuestruar aparatë dhe mjete të ndryshme që shërbejnë për lojëra fati e bixhoz. Këto prova materiale janë dërguar për procedura të mëtejme hetimore dhe do të përdoren si dëshmi në rastin në fjalë.
Pronari i lokalit është intervistuar nga policia si i dyshuar, ndërsa pas marrjes në pyetje është liruar në procedurë të rregullt.
Ndaj tij është inicuar rast penal për veprën “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.



