
Batatina: Do të luftojmë për çdo trofe
Skuadra e Llapit ka nisur përgatitjet për sezonin e ri futbollistik 2025/2026, derisa grumbullimin e parë e ka pasur në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Trajneri i kësaj skuadre, Tahir Batatina, është shprehur i kënaqur me energjinë që e ka parë në ekip, derisa ka shprehur optimizëm se me transferet e reja do të ketë një kampionat të suksesshëm. “Jam shumë i kënaqur me rikthimin në punë dhe me energjinë që e pashë në ekip. Grupi është shumë i mirë dhe transferet e reja do të na ndihmojnë jashtëzakonisht shumë në edicionin e ri. Çdo fillim sjell freski dhe motiv të ri, por këtë herë është diçka më tepër sepse para vetes kemi përgjegjësi dhe synim të madh. Po punojmë me përkushtim maksimal që të krijojmë një grup të fortë dhe të disiplinuar taktikisht”, ka thënë Batatina, i cili më pas ka bërë me dije se do të kenë një fazë intensive në mënyrë që skuadra të përgatitet sa më mirë. “Është shumë e rëndësishme që përgatitjet të shfrytëzohen në mënyrën më të mirë të mundshme, andaj kemi planifikuar një fazë intensive për ta ngritur nivelin fizik, teknik dhe psikologjik të skuadrës”, ka deklaruar ai.
Llapi në sezonin e fundit arriti ta sigurojë mbetjen në Superligë vetëm nëpërmjet ndeshjes së barazhit, kurse në finale të Kupës së Kosovës pësoi humbje nga skuadra e Prishtinës dhe në këtë mënyrë e mbylli një sezon pa arritur ndonjë sukses të madh. Ndërsa në sezonin e ri kjo skuadër po synon të luftojë për të gjithë trofetë. “Objektivi ynë është të luftojmë për çdo trofe dhe të paraqitemi denjësisht në secilën ndeshje. Tifozët tanë ‘Legjendat’, por edhe qyteti i Podujevës, meritojnë më të mirën dhe do të mundohemi që bashkërisht të punojmë për suksesin”, ka deklaruar Batatina.
Llapi ka bërë ndryshime të shumta në radhët e futbollistëve duke bërë transferime të shumta, por edhe largime të futbollistëve.
/Epoka e re/