Batatina: Ka kaluar koha e takimeve nëpër kafene, klubet duhet të takohen në FFK

23 dhjetor 2022 | 17:30

Duket e çuditshme, por institucioni i sportit, siç është në këtë rast MKRS, në vend që të mbledhë dhe ta stabilizojë sportin, ajo me një rekomandim të lëshuar në opinion ditët e fundit, duke i kërcënuar klubet se do t’ua ndalë ligjin për sponsorizim pasi FFK nuk është e licencuar ende, me të drejtë ka shqetësuar tejmase klubet e futbollit kosovar.

Madje ky rekomandim ka nisur t’i ndaj dhe përçajë klubet ndërmjet vete dhe t’i acarojnë raportet. Disa klube që edhe më herët janë njohur si kundërshtare të FFK-së sot janë takuar dhe po diskutojnë se cili mund të jetë hapi i ardhshëm. Në anën tjetër klubet të cilat që nga fillimi janë pozicionuar krah institucionit, në këtë rast FFK-së, po pretendojnë se faji për këtë acarim të situatës është te ministria e cila po ngjallë shqetësime te klubet.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, e ka komentuar takimin e sotëm të disa klubeve derisa ka thënë se koha për takime nëpër kafene ka kaluar. Sipas tij, klubet duhet të shkojnë në FFK dhe aty të kërkojnë sqarime rreth licencimit apo jo të FFK-së në MKRS. “Për momentin gjendem në Shqipëri, por neve duhet me na ftu federata, sepse ka kaluar ajo koha kur jemi mbledhur në kafe për me diskutu. Kjo është temë e rëndësishme, dhe nëse ka ndonjë zhvillim në këtë drejtim, klubet duhet t’i thërrasë FFK-ja, sepse ai është institucioni, jo ne”, ka thënë Batatina për “RTV Dukagjinin”.

Ndryshe nga Batatina, takimin e ka konfirmuar presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka, i cili ka thënë se do të takohen për të parë se çfarë po ndodh.

“Po, do të takohemi sot gjatë ditës për të diskutuar rreth këtyre zhvillimeve të fundit. Gjendja është shqetësuese, sepse nëse FFK-ja nuk licencohet do të jetë e vështirë t’i bindim njerëzit të investojnë në futboll. Një gjë e tillë nuk i konvenon fare futbollit kosovar”, ka deklaruar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më shumë se çdo pjesë tjetër e vitit, festat na…