Batatina: Llapi nëpërmjet Kupës siguron daljen në Evropë

03 mars 2021 | 21:00

Trajneri Tahir Batatina për “Epokën e re” ka thënë se Llapi synon daljen në Evropë nëpërmjet Kupës.

Skuadra e Llapit e nisi kampionatin 2020/2021 në mënyrën jo të mirë dhe rezultatet përgjatë sezonit vjeshtor nuk ishin ato që priteshin nga opinioni futbolldashës. Mirëpo kjo skuadër në pranverë ka ndryshuar dhe ka arritur të marrë rezultate pozitive, madje edhe ndaj kundërshtarëve shumë të fortë.

Trajneri Tahir Batatina në bisedë për “Epokën e re” ka thënë se sekreti i suksesit të klubit llapjan është ai vetë, për faktin se, pas përfundimit të sezonit vjeshtor, i mori të gjitha punët përdore dhe këto sollën edhe ndryshime. “Në sezonin vjeshtor përgatitjen e ekipit ia besova një trajneri të huaj. Moskomponimi i skuadrës siç duhet bëri që të mungojnë rezultatet. Në futboll faza përgatitore është shumë e rëndësishme dhe në pushim të gjitha punët i mora përsipër dhe kjo po sjell rezultate. Jam i kënaqur me ecurinë e skuadrës në pranverë dhe besoj fuqishëm se do të vazhdojmë me këtë ritëm”, ka thënë Batatina.

Llapi në fundjavë e mposhti skuadrën e Ballkanit në kuadër të javës së 22-të në Superligë dhe ndeshjen e radhës e pret një derbi tjetër kundër Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri”. Batatina është optimist se Llapi edhe në këtë ndeshje do të dalë me rezultat pozitiv, ani pse kryeqytetasit janë skuadra më në formë për momentin në ligë. “Nëse e shohim ecurinë pozitive të klubit dhe triumfin në tri ndeshje të forta, besoj se sikurse edhe në të kaluarën në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ do të marrim rezultat pozitiv. Në këtë stadium ndihem sikurse që luajmë në shtëpinë tonë, prandaj jemi të gatshëm ta japim maksimumin dhe t’ia arrijmë qëllimit ndaj një klubi shumë të fortë dhe që po kalon formën më të mirë në ligë”, ka deklaruar Batatina.

Llapi është kualifikuar në çerekfinale të Kupës, ku më 17 mars do të përballet me skuadrën e Trepçës ’89. Trajneri Batatina ka thënë se skuadra që ai e drejton synon daljen në Evropë nëpërmjet kësaj gare. “Nuk kemi pse ta mbajmë të fshehur, se synimi ynë është dalja në Evropë nëpërmjet Kupës. E kemi eliminuar në këtë garë një skuadër të fortë siç është Ballkani dhe tash jemi edhe më të motivuar që t’i shkojmë kësaj gare deri në fund. Lajm i mirë është rikthimi i portierit Nava dhe tash kemi tre portierë cilësorë në skuadër dhe ky është një plus i madh. Gjithashtu, potenciali i pjesës tjetër të futbollistëve është i madh”, ka përfunduar Batatina.

Skuadra e Llapit aktualisht pozicionohet në vendin e shtatë me 26 pikë të grumbulluara. Nga 22 ndeshje të zhvilluara, djelmoshat e drejtuar nga Tahir Batatina kanë regjistruar 8 fitore, 2 barazime dhe 12 humbje.

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar numërimi i…