Bazat dhe përgatitja e luftëtarëve të UÇK-së në Shqipëri

05 dhjetor 2022 | 08:28

Prof. asoc. dr. Bernard ZOTAJ

Në kuadrin e përgatitjes dhe zhvillimit të luftës së Kosovës, pas përmby­sjes së sistemit në ish-Jugosllavi, populli shqiptar dhe kosovar shfaqën dhe afirmuan mjaft përvoja dhe dukuri të reja si dhe konfirmuan angazhim për ndihmesë, organizim dhe përgatitje të luftëtarëve të lirisë.

Shpërthimi i luftës në Jugosllavi nuk ishte i paparashikuar nga politika zyrtare e Shqipërisë moniste. Por shpërbërja dhe lufta në Jugosllavi ndodhën njëkohësisht me rënien e sistemit socialist në Shqipëri.

Rënia e sistemit në Shqipëri u shoqërua me tronditje e dëme të mëdha: me djegie e shkatërrime barbare dhe eksode masive. Fuqia e shtetit shqiptar po shteronte, rinia që përbënte forcën e ushtrisë po braktiste atdheun. Kështu, në kohën kur ne duhej të ishim më të fuqishëm se kurrë për t’i dhënë Kosovës ndihmë konkrete maksimale, u gjendem më të dobët se kurrë.

Presidenti shqiptar i atëhershëm, Ramiz Alia, me sa duket kishte arritur në përfundim se Kosova duhej ndihmuar me çdo kusht, sepse kishte ardhur momenti më i volitshëm dhe i papërsëritshëm, që edhe ajo të ngrihej e të kërkonte të drejtat e veta, njëlloj si kombet e tjerë të Jugosllavisë. Në cilë­sinë e kryetarit të Shtetit, në një fjalim që mbajti në OKB në shtator 1990, paralajmëroi Bashkësinë Ndërkombëtare për padrejtësitë që i ishin bërë kombit shqiptar, duke shtruar problemin e rishikimit të këtyre padrejtësive historike. Ai paralajmëroi se shqiptarët e Kosovës “nuk kërkojnë asnjë të drejtë më shumë nga ç’kërkojnë serbët, sllovenët, kroatët, apo maqedo­nasit. Ata nuk kanë pranuar e nuk do të pranojnë të kenë më pak të drejta se ata”.[1] Ndërsa në vitin 1991, në funksionin e komandantit të përgjithshëm, mori mbi vete përgjegjësinë dhe urdhëroi dikasterin përkatës, që të ndih­moheshin djemtë e Kosovës me gjithçka të mundshme për t’u stërvitur ushtarakisht e për t’u armatosur me qëllim që ta fillonin luftën çlirimtare në Kosovë në një kohë me republikat e tjera veriore të Jugosllavisë.

Dy grupet themeluese të luftëtarëve të UÇK-së në Shqipëri erdhën nga tremujori i katërt i vitit 1991. Grupi i parë ishte grupi i Zahir Pajazitit, i cili u përgatit në Elbasan dhe përbëhej nga rreth 54 veta. Ndërsa grupi i dytë kryesohej nga Adem Jashari dhe u përgatit në Tiranë, përkatësisht në Surrel, në malin e Dajtit. Grupi i Adem Jasharit përbëhej nga 34 veta. Të dy këta grupe u përgatitën rreth një muaj secili, përkatësisht në tetor dhe dhjetor të vitit 1991.[2]

Grupi i Adem Jasharit është përgatitur dhe stërvitur nga ushtarakët shqiptarë Hysen Ymeri, Agron Dhimarko, Ylli Mici dhe Kastriot Hoxha, i cili ishte dhe komandant i repartit. Këta përgatitën në mënyrë të organi­zuar prej shtetit shqiptar djemtë e parë të Kosovës, nga pikëpamja ushta­rake. Oficerët e ngarkuar e mirëpritën detyrën. E konsideruan dhe e vlerë­suan si një nder të madh, që u bëhej duke u besuar të stërvitin kontingjentet e para që do ta nisnin luftën çlirimtare në Kosovën e pushtuar nga Serbia. Këta e kryen me nder misionin, nuk ndien lodhje, duke zhvilluar stërvitje nga 16 orë në ditë.[3]

Trajnimi i këtyre grupeve konsistonte në përgatitjen e zjarrit, në përgatitjen fizike, në elementë të luftës guerile dhe elementë të tjerë të luftimit në terrenit etj. Secili inspektor ushtarak shqiptar jepte lëndën e tij ushtarake. Serioziteti i tyre në përgatitje zjarri e në qitje ishte shumë i madh. Këta ushtarakë shqiptarë ua mësuan të gjitha armët e lehta të këmbësorisë që nga pistoleta, pushka, automatiku, mitralozi i lehtë dhe i rëndë, granata­hedhësi dhe mortaja 60 mm dhe 120 mm. Grupet gjithë ditën bënim qitje me armët e zjarrit. Ata zhvillonin dhe qitje kolektive si nga pozicione zjarri taktike, me të gjitha llojet e armëve dhe me granata. Instruktorët shqiptarë kishin si qëllim t’i çlironim nga emocionet e luftës, t’i mësonim me krismat e luftës, por dhe me disiplinën e zjarrit kolektiv.

Në vitin 1993, duke qenë ilegal, Adem Jashari vjen përsëri në Shqipëri për ta takuar vëllanë e tij, Rifatin, që vinte nga Gjermania. Ndërkohë, mori pjesë dhe në ceremoninë e diplomimit të anëtarit të celulave të UÇK-së, Kadri Veselit, që studionte në Tiranë. Megjithëse e kishin të ndaluar të lëviznin në vende të pakontrolluara, Adem Jashari dhe shokët e tij, gjatë kohës që përgatiteshin në Tiranë, zhvillonin dhe një aktivitet të gjerë në interes të objektivit për të cilin përgatiteshin. Ademi Jashari edhe kohë më parë kishte kontakte me njerëz që vinin ilegalisht nga Perëndimi për prob­leme të çështjes kosovare. Takimet bëheshin në Tiranë dhe në Durrës. Në Durrës bazën e kishin në shtëpinë e Ramë Sylmetës, nga Kërçina e Gjako­vës, dhe që ishte me banim në Zvicër. Kjo shtëpi u kthye në një bazë të rëndësishme UÇK-së si para ashtu dhe gjatë luftës në Kosovë.

Kryesisht nga viti 1993 e në vazhdim, aktiviteti i aktivistëve (luftëtarëve) kosovarë erdhi në rritje në Shqipëri. Në këtë kohë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Manfred Vërneri, gjatë një vizite që bëri në Shqipëri në vitin 1993, më19 mars, mbajti një fjalim para Kuvendit të Shqipërisë ku, mes të tjerash, tha: “Ministrat e jashtëm të NATO-s kanë deklaruar se një shpërthim i dhunës në Kosovë, që mund të ndodhë nga përhapja e kon­fliktit, do të përbëjë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”. “Përhapja e konfliktit në Kosovë… do të kishte konsekuenca të tmerr­shme”. “Aleanca jonë do t’i mbështesë përpjekjet ndërkombëtare për të parandaluar që të mos ndodhë kjo dhe që të gjithë ne, në Aleancë, mbësh­tetemi shumë te Shqipëria…”.[4]

Një urdhër i tillë nuk pritej nga Verneri, që shqiptarët e konsideronin mik dhe e respektuan me të gjitha nderimet dhe komplimentet. Natyrisht, ai foli në emër të Evropës, si udhëheqësi politik kryesor i NATO-s. Ky urdhër theksonte hapur që të mos përkrahej Shqipëria dhe asnjë formë qëndrese e armatosur e shqiptarëve të Kosovës kundër dhunës dhe gjenocidit serb, asnjë formë qëndrese e shqiptarëve të Kosovës për liri sepse, sipas tij, kjo do të kishte “konsekuenca të tmerrshme”. Dhe Qeveria Shqiptare, që kërkonte të anëtarësohej në Aleancë, nuk kishte si të mos zbatonte urdhrat e tij.

Megjithëse ndihma e shtetit shqiptar u bllokua, luftëtarët e Kosovës të cilët ishin të përkushtuar në çështjen e lirisë, gjetën mbështetje në Shqipëri te patriotët e vërtetë, krijuan baza të sigurta, qendra ilegale stërvitjeje dhe bënë furnizimin me armë. Shpirti patriotik shqiptar u ngrit mbi politikën. Shqipëria, edhe pa dëshirën e shtetit të vet, mbeti bazë kryesore e UÇK-së dhe e luftës së Kosovës.

Adem Shehu nga Farka e Tiranës, oficer kundërajror i Ushtrisë Shqiptare, diplomuar në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, në vitin 1980, shërbyer në reparte e njësi të Mbrojtjes Kundërajrore të Kryeqytetit, do të bëhej një nga komandantët më në zë të UÇK-së. Në vitin 1996 u lidh me ilegalët e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, me Sejdi Veselin, Nazmi Zukën, Fatmir Humollin e të tjerë.

Në vendlindjen e tij, në Farkë, në periferi të qytetit të Tiranës, organizoi stërvitjen luftarake të luftëtarëve të cilët vinin nga Kosova, trojet etnike dhe nga vendet perëndimore për t’u stërvitur. Grupet përbëheshin nga 25-30 veta dhe Adem Shehu i stërviste ata ilegalisht. Banesa e tij u shndërrua në një qendër stërvitore, pra në një “Akademi” të Farkës. Stërvitja e çdo grupi vazhdonte rreth tri javë. Në stërvitje zhvillohej njohje armatimi, përgatitje zjarri dhe veprime të thjeshta taktike. Stërvitja përfundonte me qitje reale. Pas përfundimit të stërvitjes së grupit vinte grupi tjetër.[5]

Pas marsit 1998, kur UÇK-ja kaloi në veprime luftarake në shkallë të gjerë, Adem Shehu mbante lidhje të vazhdueshme me luftëtarët që kishte përgatitur vetë. Atyre u kërkonte t’i sillnin skicat e veprimeve luftarake dhe aktin e rënies së luftëtarëve në ndeshje me armikun. E shqetësonte së tepërmi rënia e luftëtarëve, të cilët ishte përpjekur t’i mësonte se si ta vris­nin armikun e të mos vriteshin prej tij. Duke analizuar skemat e luftimit, ai arriti në përfundim për të pasqyruar në stërvitjet me grupet pasardhëse mangësitë e organizimit të luftimit në terrenin konkret.

Vendimi i Qeverisë Shqiptare me datë12 tetor 1998 për ta vënë në dispo­zicion të NATO-s të gjitha bazat ajrore e detare, si dhe gjithë hapësirën ajrore dhe rrjetin rrugor, ishte një vendim tepër i rëndësishëm historik. Ky vendim, i marrë për Kosovën, e shndërronte Shqipërinë në bazë ushtarake të NATO-s, për një sulm të mundshëm kundër Serbisë. Ky vendim tepër i guximshëm, që mori qeveria e kryeministrit të ri, Pandeli Majko, ishte një akt që e angazhonte Shqipërinë drejtpërdrejt në luftë me Serbinë, përkrah NATO-s. Lidhur me këtë vendim, komandanti suprem i NATO-s, gjenerali Uesli Klark, ka shkruar: “Kryeministri i ri, Pandeli Majko, me një angli­shte perfekte, miratoi çdo kërkesë timen: – A mund të përdornim edhe aero­porte shtesë? – Natyrisht përdor të gjitha aeroportet. – A mund ta riparonim rrugën për në Kukës? -Të lutem, riparojeni. – Po rrugën për në Shkup? – I ke të gjitha rrugët dhe mjetet në dispozicion. Merrni çfarë të doni”.[6]

Ushtria Shqiptare praktikisht u angazhua në luftë të pashpallur me Serbinë. Divizioni i Kukësit gjendejnë skalion të parë dhe në drejtimin kryesor të mbrojtjes së Shqipërisë. Ndërkohë, ky divizion u bë mbështetje e sigurt e shpinës së luftëtarëve të UÇK-së. Në territorin ku vepronte divizioni, UÇK-ja kishte bazat kryesore të saj. Fshatrat Padesh, Papaj, Gegaj, Kamenicë, Tropojë e Vjetër, Vlahen, Cahan etj., kanë qenë krejtësisht rajone veprimi e përqendrimi të UÇK-së. Ndërsa qendrat stërvitore në thellësi të zonës së mbrojtjes së Divizionit dhe në thellësinë strategjike të vendit u përdorën gjerësisht për përgatitje nga luftëtarët e UÇK-së. Prej territoreve tëdivizi­onit drejtoheshin për në Kosovë luftëtarët e UÇK-së, tashmë të stërvitur, të përgatitur dhe të armatosur prej Shqipërisë. Kishte dhe raste që sapo kalonin kufirin, binin në përpjekje me forcat serbe dhe zhvillonin luftime të ashpra, duke pasur të siguruar shpinën nga forcat e divizionit.

Në pranverën e vitit 1999 mjaft kuadro të ushtrisë shqiptare morën detyrë t’i përgatisnin luftëtarët e UÇK-së që vinin nga Perëndimi. Kuadrot dhe ushtarët shqiptarë e ndien përgjegjësinë dhe u mobilizuan për përgatitjen e kushteve për jetesë dhe stërvitjen e tyre, kur erdhën dhe luftëtarë të “Atlantikut” nga ShBA-ja, por dhe prej vendeve perëndimore si Kanada, Franca, Gjermani,Zvicrae kudo. Mosha e luftëtarëve varionte nga 15-74 vjeç.[7]

Luftëtarët e lirisë kishinnjë respekt shumë të madh për eprorët e tyre. Kur vinin eprorët në qendrën stërvitore vazhdimisht ishin të shoqëruar me roje, si në luftë. I ruanin djemtë e UÇK-së eprorët e tyre me një besnikëri vetëmohuese. Organizimin e kishin të përsosur dhe konspirativ, kërkonin rregull e disiplinë, ishin me kulturë dhe edukatë, edhe në mes të pyllit kërkonin koshin e mbeturinave për të hedhur bishtin e cigares. Por, mbi të gjitha, gjënë më të shtrenjte në botë kishin Flamurin.

Luftëtarët e batalionit të “Atlantikut” kishin një vullnet të jashtëzakon­shëm për të mësuar për luftën dhe dinamikën e saj. Pasioni më i madh i tyre ishte arma. Gjatë mësimit teorik dhe stërvitjes në terren, si dhe në çdo veprim kishin frymën e kritikës. Batalioni “Atlantiku” u stërvit në Mollas të Burrelit. Për stërvitjen e Batalionit “Atlantik” angazhuan ushtarakët më të përgatitur dhe atdhetarë të përkushtuar. Stërvitja zhvillohej në kazermat dhe poligonet e njësisë së Burrelit, në një terren mjaft të përshtatshëm.

Qyteza e Mollzave[8] dhe poligonet përreth saj, në prill-majin e vitit 1999 ishin mbuluar nga gjelbërimi natyror dhe nga uniformat e kamuflazhit të një ushtrie të madhe. Në Mollza ishin përqendruar forca të shumta luftë­tare, çka i habiti gjeneralët dhe atashetë ushtarakë të vendeve të NATO-s, kur bënë një inspektim në terren.

Luftëtarët ishin prej të gjitha moshave, por dominonte mosha e re, 18-25-vjeçare, djem dhe vajza. Ishin të gjithë të shëndetshëm, me trupa të hedhur, elegantë, me fytyra të bukura, që ishin rritur midis të gjitha të mirave në vendet perëndimore, që armët i kishin parë vetëm nëpër filma, tani kishin ardhur në Mollza, në këtë vend të fshehtë, për t’u përgatitur për luftë.

Ishin mbi 40 oficerë shqiptarë shumë të aftë që u ishte ngarkuar të zhvillo­nin stërvitje me luftëtarët e rinj të “Atlantikut”, por dhe kosovarë të ardhur nga Evropa e Kosova.

Oficerët shqiptarë e kishin kuptuar detyrën e tyre. Ata hartuan një pro­gram stërvitor tepër të ngjeshur. Për një muaj duhej t’u mësonin luftëtarëve që nuk kishin prekur ndonjëherë pushkë me dorë, të gjitha llojet e armëve të këmbësorisë, si dhe të zhvillonin qitje luftarake. Do t’u mësonin veprimet e ushtarit në fushën e luftimit. Të gjitha këto, ushtari i kohës së paqes, i mëson gjatë një viti stërvitor. Ndjenja e përgjegjësisë së këtyre oficerëve do të shtohej gjithnjë e më tepër, në procesin e zhvillimit të stërvitjes, kur shikonin etjen e atyre të rinjve për të mësuar gjithçka në një ditë. Por edhe më tepër shpirtin e këtyre oficerëve të talentuar, që ishin të zgjedhur me “kokrra”, e prekte fakti se djemtë dhe vajzat që po stërvitnin, do t’i nisnin për luftë. Këta nuk duhej të vriteshin kot. Këta duhej ta vrisnin armikun e të mos vriteshin prej tij. Këtu qëndronte thelbi i misionit të tyre të lartë. Prandaj oficerët e Shqipërisë Mëmë u kërkonin shumë në stërvitje. Nuk lejonin asnjë gabim në përdorimin e armëve. Nuk falnin asnjë gabim gjatë lëvizjeve në fushën e stërvitjes, që e konsideronin si fushë luftimi. Ata jep­nin shembullin personal në çdo veprim, duke mos treguar lodhje në asnjë moment.[9]

Disiplina e lartë në stërvitje, gatishmëria dhe mobilizimi i jashtëzakon­shëm i vullnetarëve të lirisë për ta zbatuar pa hezitimin më të vogël çdo mësim, çdo sugjerim e korrigjim të oficerëve, ishte një shembull tepër i rrallë. Në marrëdhëniet me ushtarakët shqiptarë luftëtarët kishin shuar çdo ndjenjë kundërshtimi. Fjala e tyre ishte ligj. Disiplina e lartë, e ndërgjegj­shme, bëri që të zhvilloheshin të gjitha stërvitjet, të gjitha qitjet (3-4) me pushkë, me automatikë, me mitraloz të lehtë e të rëndë, me mitraloz kundërajror 12,7 milimetër, me granatahedhës e me mortajë në mënyrë shembullore. Zhvillonin qitje me rreth dy mijë veta në ditë dhe asnjë inci­dent nuk ndodhi në saje të zbatimit të përpiktë të rregullave të sigurimit teknik.

Djemtë e vajzat e Kosovës të ardhur nga Perëndimi si luftëtarë të UÇK-së jo vetëm morën mësimet e nevojshme për luftë, por dhe lanë tek ushta­rakët shqiptarë mirësjellje dhe, veçanërisht disiplinë pune, disiplinë mësimi dhe disiplinë lufte.

Shumica e luftëtarëve ishin studentë që kishin ndërprerë studimet dhe me vetëdije të lartë atdhetare e kombëtare kishin ardhur të mësonin e të fute­shin në luftë për ta çliruar Kosovën. Ata nuk mendonin fare se çdo të thotë të vritesh, të vdesësh pasi atë e kishin për krenari, sikur shkonin në dasmë. Atyre u mësonim edhe mortajën 82 mm. Ishin tepër kureshtarë dhe kër­konin të mësonin me hollësi çdo detaj. Kishte dhe luftëtarë që kishin kryer shërbimin ushtarak në ushtrinë jugosllave dhe tregonte se serbi nuk ua mësonte armët shqiptarëve, por i ngarkonte me punë të rëndomta.

Në qendrën stërvitore të UÇK-së në Mollas të Burrelit u trajnuan për një muaj e ca nga 1 800-2500 luftëtarë.[10] Ushtarakët shqiptarë hartuan një program stërvitor njëmujor të ngjeshur me elementët më të domosdoshëm për t’u përgatitur për luftë. Ai përmbante edhe zhvillimin e dy qitjeve duke pasur parasysh që mbi 90% e luftëtarëve nuk kishin parë armë me sy.[11] Ushtarakët shqiptarë çdo mëngjes herët merrnin togat e tyre dhe fillonin stërvitjen e cila zgjaste gjatë gjithë ditës. Luftëtarët kishin një nderim të veçantë për oficerët shqiptarë.

Qyteza e Mollzave çdo mëngjes zgjohej me Himnin Kombëtar të Flamurit. Të gjitha forcat rreshtoheshin në sheshin e nisjes për stërvitje. Të gjithë luftëtarët dilnin në rreshtimin ceremonial të ngritjes së Flamurit. Flamuri ngrihej me komandë dhe të gjithë qëndronin gatitu, si të ngrirë. Himnin e Flamurit e këndonte një togë. Populli i Burrelit u mahnit me disiplinën e kësaj ushtrie dhe me shenjtërinë që ajo tregonte për Flamurin, kryesim­bolin e kombit.

Repartet e UÇK-së, në Mollza të Burrelit, por ai i Fekenit, treguan se ishin pjesë e një ushtrie të rregullt, e një ushtrie me ideale të shenjta çlirim­tare dhe kombëtare. Ato ishin pjesë e një ushtrie me simbole, me flamurin e vet kombëtar.

Përfundim 

Shqipëria në vitet ’90të shek. XX u përballua me rënien e sistemit soc­ialist, por vëmendja e saj ishte se Kosova duhej ndihmuar me çdo kusht. Kishte ardhur momenti më i volitshëm dhe i papërsëritshëm, që edhe ajo të ngrihej e të kërkonte të drejtat e veta, njëlloj si kombet e tjerë. Djemtë e Kosovës duheshin ndihmuar me gjithçka të mundshme për t’u stërvitur ushtarakisht e për t’u armatosur me qëllim që ta fillonin luftën çlirimtare në Kosovë. Grupet themeluese të luftëtarëve të UÇK-së në Shqipëri kanë ardhur nga tremujori i katërt i vitit 1991. Ushtarakët shqiptarë u mësuan luftëtarëve të gjitha armët e lehta të këmbësorisë, bënë përgatitje për qitje me armët e zjarrit, si dhe zhvilluan përgatitje taktike.

Luftëtarët e Kosovës të cilët ishin të përkushtuar në çështjen e lirisë, gjetën mbështetje në Shqipëri te patriotët e vërtetë, krijuan baza të sigurta, qendra ilegale stërvitjeje dhe bënë furnizimin me armë. Shpirti patriotik shqiptar u ngrit mbi politikën. Shqipëria, edhe pa dëshirën e shtetit të vet, mbeti bazë kryesore e UÇK-së dhe e luftës së Kosovës.

Ushtria Shqiptare praktikisht u angazhua në luftë dhe Divizioni i Kukësit u gjend në skalion të parë dhe në drejtimin kryesor të mbrojtjes shqiptare. Ky divizion u bë mbështetje e sigurt e shpinës së luftëtarëve të UÇK-së dhe në territorin ku vepronte divizioni, UÇK-ja kishte bazat kryesore të saj.

Djemtë e vajzat e Kosovës të ardhur nga Perëndimi si luftëtarë të UÇK-së jo vetëm morën mësimet e nevojshme për luftë, por dhe lanë tek ushta­rakët shqiptarë mirësjellje, veçanërisht disiplinë pune, disiplinë mësimi dhe disiplinë lufte.

[1] Gazeta Zëri i Popullit, 30 shtator 1990, f. 4.

[2] Sokol Poga, intervistë dhënë gazetës Dita, 27 mars 2013, f. 2-3.

[3] Husen Ymeri, …Stërvitëm edhe Adem Jasharin, Tiranë, 2009, f. 245.

[4]NATO – Organizata e Traktatit të Atlantikut, Shtëpia Botuese e Ushtrisë, Tiranë 1994, f. 327.

[5]Halil Katana, Tri dimensionet e Luftës Çlirimtare të Kosovës, Tiranë, 2002, f. 197.

[6]U. Klark, Lufta ime në Kosovë, suplement i gazetës Korrieri, 24 qershor 2001, f. 10.

[7]Halil Katana, revista Mbrojtja, nr. 6. Tiranë, 2000, f. 49.

[8] AQFA, MM, Urdhër nr. 1950, datë 14.06.1999.

[9] AQFA, MM, Urdhër, nr. 2487, datë. 24.04.1999.

[10] Major Bernard Zotaj, material teorik, Mendime dhe probleme nga stërvitja në qendrën stërvitore Mollas-Burrel, korrik 1999, f. 6.

[11] Revista Mbrojta, nr. 11, Tiranë, 1999, f. 85.

(Marrë nga libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, botuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kjo kumtesë është paraqitur në sesionin shkencor mbajtur në Prishtinë më 7 mars 2022, organizuar nga: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kumtesat e njëzet intelektualëve shqiptarë gazeta “Epoka e re”, përpos në portal, do t’i botojë për njëzet ditë me radhë edhe në formatin pdf. Librin mund ta gjeni në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Izet Abdyli Avdush Canaj, "Edhe ëndrrat në pranga (lirika nga…