BB-ja: Rritja ekonomike në Kosovë pritet të arrijë në 3.8 për qind në vitet 2025 – 2026

28 prill 2025 | 13:56

Banka Botërore (BE) ka parashikuar se rritja ekonomike në Kosovë pritet të arrijë në 3.8 për qind në vitet 2025 dhe 2026.

“Rritja ekonomike do të mbështetet nga konsumi dhe aktiviteti investues. Megjithatë, pasiguria ekonomike, veçanërisht në lidhje me politikën e tregtisë globale është rritur muajt e fundit.  Vonesat në formimin e një qeverie të re mund të ndikojnë negativisht në investime dhe zbatimin e agjendës së reformës strukturore. Një ngadalësim i mëtejshëm i aktivitetit ekonomik në BE, si dhe rritja e pasigurisë tregtare, ka potencial të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike”, është thënë në Raportin e rregullt ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Sipas këtij raporti, ekonomia e Kosovës ka përformuar mirë.

“Ekonomia e Kosovës vazhdoi performancën e saj të fortë, por Kosova duhet të gjenerojë burime shtesë për nevojat e saj në rritje për investime, duke përfshirë në fushat e energjisë, infrastrukturës, kapitalit njerëzor dhe lidhshmërisë”, citohet  të këtë thënë Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Më tutje, ky raport ka theksuar se përparimi i mëtejshëm në uljen e varfërisë do të varet nga aftësia për të rritur konkurrueshmërinë e sektorit privat dhe për të mbajtur ritme më të larta të rritjes ekonomike në të ardhmen.

“Një treg më i shtrënguar i punës mund të ndihmojë në rritjen e pagave, ndërsa politikat për të rritur cilësinë e arsimit dhe aftësitë e punëtorëve me arsim më të ulët mund të ofrojnë një nxitje shtesë. Rënia e popullsisë, pjesërisht për shkak të emigrimit, mund të kompensohet me rritjen e pjesëmarrjes së femrave në fuqinë punëtore, aktualisht e kufizuar nga faktorë të tillë si mungesa e shërbimeve të kujdesit për fëmijët. Zgjerimi i shërbimeve të kujdesit për fëmijët do të përmirësonte mundësitë për gratë në tregun e punës dhe do të rriste gatishmërinë e fëmijëve për shkollë përmes edukimit më të mirë në fëmijërinë e hershme, duke krijuar gjithashtu mundësi shtesë për punë”, është thënë në raportin e Bankës Botërore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti i Kosovës, Milot Rashica ka gjasa të mbetet pjesë…