BBC: Grenlanda, pika e re e përplasjes mes Trumpit dhe Evropës
Të martën në Paris është mbajtur takimi i të ashtuquajturës “Koalicioni i të gatshmëve”, i përbërë kryesisht nga liderë evropianë dhe përfaqësues të presidentit amerikan Donald Trump, me synimin për të bërë një hap të mëtejshëm drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje për Ukrainën.
Megjithëse presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, ka deklaruar se plani për përfundimin e luftës me Rusinë është “90 për qind i përfunduar”, askush në sallë nuk ka dashur të rrezikojë largimin e Shteteve të Bashkuara nga procesi, shkruan BBC në analizën e saj.
Por mbi këtë takim festiv në Paris ka rënduar një çështje tjetër madhore – Grenlanda.
Grenlanda, ishulli më i madh në botë dhe territor autonom i Danimarkës, ndodhet në Arktik dhe ka një rëndësi strategjike në rritje. Presidenti amerikan Donald Trump ka insistuar se SHBA-të kanë nevojë për Grenlandën për arsye të sigurisë kombëtare dhe se Uashingtoni po shqyrton “një sërë opsionesh” për ta marrë kontrollin mbi të, përfshirë edhe blerjen e ishullit.
Në takimin e Parisit ishte e pranishme edhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen. Ndërkohë që asnjë nga fuqitë evropiane nuk dëshiron të antagonizojë Trumpin, gjashtë vende të mëdha evropiane – përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë – lëshuan një deklaratë të përbashkët, ku theksuan se siguria në Arktik duhet të garantohet kolektivisht brenda NATO-s dhe se çështjet që lidhen me Danimarkën dhe Grenlandën janë ekskluzivisht në kompetencë të Danimarkës dhe Grenlandës.
Megjithatë, reagimi i Shtëpisë së Bardhë erdhi vetëm disa orë më vonë. Uashingtoni njoftoi se po shqyrton opsione unilaterale për Grenlandën, ndërsa zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi se përdorimi i ushtrisë amerikane “mbetet gjithmonë një opsion”.
Kjo deklaratë ka rritur ndjeshëm shqetësimin në Evropë. Kryeministrja daneze ka kërkuar që këto deklarata të merren seriozisht, ndërsa liderët evropianë janë larguar nga Parisi dukshëm të shqetësuar.
Sipas BBC-së, ironia është e thellë: ndërsa Evropa dhe NATO përpiqen të bindin SHBA-të që të ndihmojnë në mbrojtjen e sovranitetit të Ukrainës nga ambiciet territoriale ruse, vetë SHBA-të po kërcënojnë hapur sovranitetin e një vendi evropian – Danimarkës, e cila është gjithashtu anëtare e NATO-s.
Danimarka ka paralajmëruar se një veprim i njëanshëm amerikan për Grenlandën do të përbënte fundin e rendit të sigurisë transatlantike që nga Lufta e Dytë Botërore. Edhe pse SHBA-të tashmë kanë një bazë ushtarake në Grenlandë, Kopenhaga ka premtuar investime shtesë prej katër miliardë dollarësh për mbrojtjen e ishullit.
Megjithatë, administrata Trump nuk ka treguar interes për dialog.
Një zyrtar i BE-së i ka thënë BBC-së se kjo situatë ka nxjerrë në pah dobësinë themelore të Evropës përballë Trumpit. Edhe pse vendet nordike kanë mbështetur menjëherë Danimarkën, fuqitë kryesore evropiane kanë reaguar me vonesë dhe pa kritika të drejtpërdrejta ndaj SHBA-ve.
Analiza përfundon se stili i drejtpërdrejtë dhe kërcënues i Trumpit ka bërë që liderët evropianë të hezitojnë të përballen hapur me Uashingtonin. Në një botë ku dominojnë fuqitë e mëdha, Evropa rrezikon të mbetet spektatore dhe të shtypet mes interesave të të tjerëve, nëse nuk arrin të flasë me një zë të vetëm dhe të reduktojë varësinë e saj nga Shtetet e Bashkuara.



